JSN Epic - шаблон joomla Авто

Pyetje: Eselamualejkum we rahmetullahi we berekatuhu. Vella i nderuar ju jam shume mirenjohese per ndihmen qe me keni dhene rreth pyetjeve dhe dilemave te mia. Allahu ju shperblefte ne dunja dhe ahiret. Nese mund te me pergjigjeni do te doja te dija numrin e sakte te pejgambereve sepse ne librat islam kam hasur ne numra te ndryshem si 25, 28, 12 etj. Ne botimin e librit „Drita e zemres dhe Jasini“ permenden 28 pejgamber ky tre prej tyre kane emrat Uzejr, Llukman dhe Dhulkarnejn. Ju kisha lutur te me spjegoni se kush kane qene dhe a kane qene te derguar te Zotit. Poashtu do te doja te dija a ka qene Ademi a.s. i derguari i pare i Zotit apo vetem njeriu i pare, sepse ne ilahine e Adem Ramadanit Ulul Azmi theksohet se Nuhi a.s. ka qene resuli i pare. Me falni qe e zgjata dhe ju mora kohen tuaj. Allahu i Madheruar qofte me ju gjithmone. Amin

Përgjigje:

Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Së pari: Pejgamberët të cilët i ka dërguar Allahu në tokë, udhërrëfyes për njerëzimin janë shumë. Për disa prej tyre Allahu na ka treguar në Kur’an e për disa jo. Thotë Allahu (azzevexhel): “Dhe (dërguam) të Dërguar më parë që të rrëfyem për ta, dhe të Dërguar të tjerë për të cilët nuk të kemi rrëfyer“. (Nisa‘ – 164) Kështuqë përveç pejgamberëve që janë përmendur në Kur’an, ka pasur edhe shumë pejgamberë të tjerë që nuk janë përmendur emrat e tyre.

Së dyti: Pejgamberët e përmendur në Kur’an janë njëzetepesë. Thotë Ibn Kethiri: Pejgamberët të cilët janë të përmendur me emër në Kur’an janë njëzetepesë. Emrat e tyre janë: Adem, Idris, Nuh, Hud, Salih, Ibrahim, Lut, Ismail, Is’hak, Ja’kub, Jusuf, Ejub, Dhulkifël, Shuajb, Musa, Harun, Junus, Davud, Sulejman, Iljas, Eljesa‘, Zekerija, Jahja, Isa dhe Muhamed (salallahualejhiveselem). (Tefsir Ibn Kethir 2/469)

Së treti: Sa i përket Uzejrit, Lukmanit dhe Dhulkarnejnit, dijetarët kanë ndryshuar mendimet e tyre, nëse ata kanë qenë pejgamberë apo jo. Për atë edhe shumë prej tyre, nuk i kanë futuar në mesin pejgamberëve që janë përmendur në Kur’an.

Së katërti: Nëse keni lexuar diku se pejgamberët e përmendur në Kur’an janë dymbëdhjetë, kjo është një gabim i madh i shkruesit apo përkthyesit të atij libri. Ngase nëpërmjet kësaj mohohen shumë pejgamberë që janë të përmendur në Kur’an. E që mohimi i tyre me dije, e nxjerrë njeriun prej Islami.

Së pesti: Është e vërtetë se Resuli i parë është Nuhu (alejhiselam). Ndërsa Ademi (alejhiselam) është Pejgamber Nebij dhe jo Resul. Ngase: Resul është ai pejgamber që ka ardhur me Sheriat të ri, ndërsa Nebij është ai pejgamber që ka vazhduar Sheriatin e atij që ka qenë më herët. Apo: Resul është ai pejgamber që ka pasur libër, ndërsa Nebij është ai pejgamber që nuk i është zbritur libër. Në lidhje me këtë, dëgjoni ligjeratën: Besimi në pejgamberët.

Gjithashtu në lidhje me pejgamberët e Allahut që janë përmendur në Kur’an, më gjërësisht mund të dëgjoni njëzet ligjeratat të cilat flasin për tregimin e secilit prej tyre: Tregimet e pejgamberëve.

Allahu e di më së miri.

Omer Bajrami

24.07.2011

Go to top