JSN Epic - шаблон joomla Авто

Pyetje: Selam alejkum hoxhe i nderuar. A eshte therrja e kurbanit per kurban bajram vaxhib dhe nese po cilat jane rregullat dhe kushtet?

 

Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

 

Së pari: Në lidhje me therrjen e kurbanit, dijetarët kanë ndryshuar mendimet e tyre. Disa prej dijetarëve janë të mendimit se therrja e kurbanit është obligim për atë ka mundësi, dhe ky është mendimi i Imam Euzait, Ebu Hanifes, Lejthit, dhe disa dijetarëve të medhhebit Malikij.

 

Ndërsa shumica e dijetarëve janë të mendimit se therrja e kurbanit është sunet i fortë, dhe nuk arrin në shkallën e obligimit duke u bazuar në hadithin në të cilin Pejgamberi (salallahualejhiveselem) thotë: “Kur të hyjnë dhjetë ditët (e Dhul Hixhes), dhe dikush prej jush dëshiron që të therr kurban, mos të prekë asgjë prej flokëve (qimeve) të tij, dhe prej lëkurës së tij”. (Transmeton Muslimi) Kështuqë, me fjalën: “dëshiron që të therr kurban” nënkuptohet se therrja e tij nuk është obligim.

 

Gjithashtu është transmetuar nga sahabet se therrja e kurbanit është sunet, dhe nuk ka ndonjë mendim të tyre se therrja e tij është vaxhib. Si dhe është transmetuar se Ebu Bekri dhe Omeri (radijallahuanhuma) nuk kanë therrur kurban. (Transmeton AbduRazaku dhe Bejhekiu me zinxhirë të vërtetë).

Ky është mendimi i Imam Malikut, Shafiut, Ahmedit dhe dijetarëve të tjerë, dhe ky është mendimi me të cilin e adhurojmë Allahun dhe shpresojmë të jetë më i saktë.

 

Së dyti: Kushtet e kurbanit:

-Të jetë prej kafshëve të pranuara për kurban, si: Deve, lopë apo dele.

-Të ketë plotësuar moshën e pranuar për kurban. Mosha  e tij (kurbanit), nëse është: Deve – duhet të jetë pesë vite; Lopë – dy vite; Dhi – një vit dhe dele – së paku gjashtë muaj.

-Të jetë e pastër prej të metave të mëdha, si: Verbëria e qartë, sëmundja e dukshme dhe e qartë, çalimi i qartë, dhe dobësia e qartë e trupit.

-Të therret në kohën e caktuar sipas Sheriatit, e cila është prej pas faljes së namazit të Bajramit dhe përfundimit të hutbes, deri në ditën e tretë të Teshrikut (tri ditë pas ditës së parë të Bajramit).

 

Së treti: Njeriu që therr kurban:

Duhet që mos t’i presë flokët dhe thonjët e tij, gjatë dhjetë ditëve të para të Dhul Hixhes. Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Kur të hyjnë dhjetë ditët (e Dhul Hixhes), dhe dikush prej jush dëshiron që të therr kurban, mos të prekë asgjë prej flokëve (qimeve) të tij dhe prej lëkurës së tij”. (Transmeton Muslimi)

 

Së katërti: Mishi dhe lëkura e kurbanit:

Nuk lejohet të shitet asgjë prej kurbanit, porse është e pëlqyer ndarja e mishit të tij tij në tri pjesë. Një pjesë për vete, një pjesë për dhuratë dhe një pjesë për lëmoshë – sadaka. Ndërsa shitja e tij apo e lëkurës së tij është e ndaluar. Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Kush e shet lëkurën e kurbanit të tij, ai nuk ka kurban”. (Sahihul Xhami’ 1118) Si dhe nuk lejohet dhënia e saj therrësit të kurbanit (kasapit).

 

Allahu e di më së miri.

Hoxhë Omer Bajrami

05.11.2011

Go to top