JSN Epic - шаблон joomla Авто

Esselamu alejkum ve rahmetullah. Kujt i takon e drejta e emertimit, dhe a i lejohet dikujt tia ngjet emrin femijes pa deshiren e nenes se femise? Per shembull, dikush nga anetaret e familjes se burrit?

Përgjigje:

Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Emërtimi i fëmiut është e drejtë e babait, dhe nëse kundërshtohen mendimet e familjarëve në lidhje me këtë, fjala përfundimtare i takon babait të fëmiut. Edhepse kjo nuk don të thotë që mendimi i nënës të mos merret parasyshë fare, apo të mos konsultohet ajo, por nëse mendimet e tyre nuk pajtohen në asnjë mënyrë, atëherë emri i fëmiut mbetet emri i zgjedhur nga babai i tij.

Thotë Imam Ibn Kajjimi: Emërtimi i fëmiut është e drejtë e babait dhe jo e nënës, dhe kjo është një çështje për të cilën nuk ka diskutim në mesin e njerëzve (dijetarëve dhe muslimanëve). Dhe nëse prindërit kundërshtohen mes veti në lidhje me emërtimin e fëmiut, atëherë fjala përfundimtare i takon babait, dhe të gjitha hadithet e përmendura e vërtetojnë këtë. (Tuhfetul meudud 125)

Dhe Shejh Ibn Uthejmini thotë: Ndonjëherë kundërshtohet mendimi i nënës me atë të babait, dhe (fundi) kthehet te mendimi i babait. Por nëse mund të bashkohen të dy në një mendim, duke zgjedhur një emër të tretë me të cilin do të pajtohen të dy, kjo është më e mirë, ngase çdo herë që arrihet pajtueshmëri, kjo është më e mirë dhe më e dashur për zemrën.

Dhe nëse prindërit janë dakord me zgjedhjen e emrit për fëmiun e tyre, nuk i takon dikujt tjetër prej anëtarëve të familjes të kundërshtojë (nëse emri i zgjedhur është në rregull sipas Islamit), apo të zgjedhë ndonjë emër tjetër dhe ta emërtojë fëmiun me atë emër pa pëlqimin e prindërve të tij.

Allahu e di më së miri.

Omer Bajrami

22.11.2011

Go to top