JSN Epic - шаблон joomla Авто

Pyetje: Selamu alejkum hoxhe i nderuar. Deshta te dij se a eshte bidat te falen 4 sunetet para ikindise dhe 4 sunetet para jacise? Allahu ju shperblefte.

Përgjigje:

Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Para namazit të ikindisë dhe jacisë nuk ka sunete të rregullta, të vërtetuara prej Pejgamberit (salallahualejhiveselem). Por ka nga dy rekatë nafile, për të cilat ka thënë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Ndërmjet çdo ezani dhe ikameti ka namaz, ndërmjet çdo ezani dhe ikameti ka namaz, ndërmjet çdo ezani dhe ikameti ka namaz për atë që dëshiron“. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Duke u bazuar në këtë hadith, themi se mund të falen nga dy rekatë para namazit të ikindisë, akshamit dhe jacisë, dhe këto janë nafile dhe nuk janë sunete të rregullta dhe të forta.

E në lidhje me katër rekatë para farzit të ikindisë, Pejgamberi (salallahualejhiveselem) thotë: “Allahu e mëshiroftë një person i cili i falë para (farzit të) ikindisë katër rekatë“. (Transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu) Në lidhje me këtë hadith, dijetarët kanë ndryshuar mendimet  e tyre. Disa prej tyre e kanë klasifikuar atë në mesin e haditheve të mira, e disa në mesin e haditheve të dobëta.

Ndërsa për katër rekatë para farzit të jacisë, nuk ekziston ndonjë argument i cili e vërteton një gjë të tillë, andaj edhe nuk është në rregull të veçohet namazi i jacisë me katër rekatë para saj, për dallim nga namazi i akshamit, përderisa nuk ka ndonjë argument që e dallon atë. Por, para farzit të jacisë mund të falen dy rekatë nafile, ashtu sikur mund të falen para ikindisë dhe akshamit.

Allahu e di më së miri.

Omer Bajrami

06.01.2011

Go to top