JSN Epic - шаблон joomla Авто

Pyetje: Selamualejkum. Une deshta te pyes se a eshte e vertete qe ekziston ndonje hadith sahih per agjerimin e tri diteve te para te muajit Rexheb, pasiqe po hyjme ne tre muajt (para Ramazanit)? Une me sa lexova, Umeri r.a. e ka ndaluar agjerimin ne keto tri dite, po ashtu edhe Ibn Kajimi e ka komentuar kete duke thene se nuk lejohet, pasiqe kete nuk e ka praktikuar Pejgamberi ose sahabet ose tabiinet. Cfare thoni ju per kete?

 

Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Sa i përket agjërimit në muajin Rexheb, nuk ka ndonjë argument të vërtetë që e dallon këtë muaj prej muajve tjerë. Dhe agjërimi vullnetar në këtë muaj, është sikur agjërimi vullnetar në muajt tjerë. Ndërsa caktimi i disa ditëve për agjërim apo caktimi i disa netëve për namaz nate (gjatë këtij muaji), është risi e cila nuk ka bazë.

Thotë Shejhul Islam Ibn Tejmijeh: Agjërimi në muajin Rexheb, duke e veçuar atë (duke menduar se shpërblimi dhe meritat e tij janë më të mëdha), hadithet për këtë të gjitha janë të dobëta, bile të shpifura dhe dijetarët nuk bazohen në ndonjërin prej tyre.. (Fetava 25/290)

Thotë Ibn Kajim El-Xheuzij: Çdo hadith në të cilin përmendet agjërimi i muajit Rexheb dhe falja e namazit të natës gjatë disa netëve të tij, është gënjeshtër e shpifur. (El-Menarul Munif/96)

Thotë Hafidh Ibn Haxheri: Nuk ka ardhur për vlerën e muajit Rexheb, për agjërimin e tij apo për agjërimin e ndonjë pjese të tij, apo për namazin e natës në ndonjë natë të veçantë të tij, hadith i vërtetë i cili vlen për t’u bazuar në të. (Tebjinul Axheb/11)

Kështuqë, nuk ka ndonjë ditë të caktuar e cila ka vlerë të veçantë për agjërim gjatë këtij muaji, apo ndonjë natë e cila ka shpërblim të veçantë për namaz gjatë këtij muaji. Por ibadeti vullnetar mund të bëhet në këtë muaj sikur në muajt e tjerë, duke agjëruar dhe falur namaz nate, pa caktuar ditë dhe netë të veçanta dhe pa menduar se shpërblimi në këtë muaj është më i madh dhe vlerat e tij janë më të mëdha..


Allahu e di më së miri.

Hoxhë Omer Bajrami

03.06.2012

Go to top