JSN Epic - шаблон joomla Авто

Pyetje: Eselamu alejkum. Jam duke jetuar ne zvicer dhe ketu kemi per obligim qe cdo vit te paguajme tetim shteteror per te hyrat gjate vitit (ne nje menyre pastrim pasurie). Pyetja eshte kjo: A pranohet kjo si zekat apo duhet te jepet edhe sipas menyres islame?

Përgjigje:

Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Zekati është një prej shtyllave të Islamit. Është prej obligimeve të mëdha ndaj Allahut. Bëhet si adhurim ndaj Allahut. Jepet një shumë e caktuar e pasurisë, në kategori të caktuara të njerëzve.

(Nëse njeriu posedon pasuri në vlerë prej tetëdhjetë e pesë gram ari, dhe i qëndron ajo pasuri një vit pa e shfrytëzuar atë fare, atëherë për të duhet të jep zekat 2.5%.)

Ai që e jep zekatin, ka shpërblim të madh tek Allahu për kryerjen e këtij adhurimi. Thotë Allahu (azzevexhel): "S'ka dyshim se ata që besuan dhe bënë vepra të mira, e falën namazin dhe e dhanë zekatin, ata i pret shpërblim i madh te Zoti i tyre, ata nuk do të kenë kurrfarë frike e as pikëllimi". (El-Bekareh - 277)

E ai që nuk e jep zekatin, ka mëkat të madh ndaj Allahut dhe meriton dënim të dhembshëm në Botën Tjetër. Thotë Allahu (azzevexhel): "Ata të cilët e ruajnë arin dhe argjendin e nuk e japin atë në rrugën e Allahut, lajmëroji ata për një dënim të dhembshëm. Atë ditë kur ajo (pasuri) fërgohet në prushin e Xhehenemit, e me të lyhen ballët, anët dhe shpinat e tyre (dhe u thuhet): Kjo është ajo që depozituat për veten tuaj, pra shijoni atë që e depozituat". (Et-Teubeh 34/35)

Ndërsa tatimi që i jepet shtetit, nuk ka të bëjë fare me zekatin. Ai nuk është adhurim. Nuk bëhet për hirë të Allahut. Nuk jepet në shumë dhe në kategoritë e njerëzve të cilët e meritojnë atë, dhe jepet në mënyrë të imponuar.

Andaj, muslimani duhet të jep zekatin aty dhe ashtu siç kërkon Islami prej tij, dhe mos të llogaritë pasurinë e tij e cila merret në forma të ndryshme, si zekat dhe si ibadet i kryer ndaj Allahut.

Allahu e di më së miri.

Hoxhë Omer Bajrami

22.02.2013

Go to top