JSN Epic - шаблон joomla Авто

Nëse dikush sot ty të jep një dhuratë, mos ta falenderosh atë nuk është edukatë. E Ai që ty të ka dhënë çdo gjë, sa mund të jetë edukatë mos ta falenderosh Atë?!

 

Nuk është prej edukatës që për çdo gjë pa pritesë të shkruash, e kur të përmendësh Muhamedin “salallahualejhiveselem” mos të thuash!

 

Nuk është prej edukatës që të caktohet ndonjë datë, për ta rrespektuar nënën e për t'i dhuruar asaj dhuratë!

 

Nuk është prej edukatës që çdoherë t’i përgjigjesh çdokujt që të thirrë, përveç kur të thërret ezani të mos jeshë i lirë!

 

Nuk është prej edukatës të lodhesh tetë orë për një rrogë të shtetit, e mos të lodhesh fare për shpërblimet e Xhenetit!

 

Nuk është prej edukatës që në çështjet e dunjasë të jeshë me fakultet, e në çështjet e fesë të jeshë analfabet.

 

Ta lëshosh gjuhën edhe shumë të flasësh, sidomos në kohë të fitneve s'është prej edukatës.

 

Nuk është prej edukatës të krijosh armiqësi, me çdokënd që nuk pajtohet në ndonjë mendim me ty.

 

Nëse ndonjë hoxhë nuk është ashtu siç je ti vet, nuk është prej edukatës ta akuzosh atë në sinqeritet.

 

Në kohën që dikund afër teje për Islam ka ligjeratë, të qëndrosh nëpër rrugë e nëpër kafe nuk është edukatë.

 

Nuk është prej edukatës dhe nuk është sjellje e mirë, xhemati hoxhallarët në emër të i thirrë.

 

Nuk është prej edukatës që kur dikush hoxhën e pyet për ndonjë gjë, ti të ndërhysh të japësh përgjigje dhe të tregosh se edhe ti e di atë.

 

Nuk është prej edukatës që kur hoxha ligjeron, dikush nga xhemati të qëndrojë në telefon.

 

Nuk është prej edukatës veten tënde me fjalë ta zbukurosh, nëse me veprat tua ato fjalë vetë do t’i demantosh!

 

Nuk është prej edukatës të mendosh se në mesin e të gjithëve ti je më i dalluar, e as në diskutimet me ta të mendosh se mendimi yt çdoherë është më i qëlluar.

 

Sidomos ditën e xhuma nuk është edukatë, të të kalojë dita pa asnjë salavatë.

 

Nuk është prej edukatës e as cilësi e besimtarit, që njeriu i habitur pas dunjasë, ta harrojë natën e varrit.

 

Hoxhë Omer Bajrami

Go to top