JSN Epic - шаблон joomla Авто

Vërtetë përhapja e sunetit dhe zhdukja e bidatit është prej xhihadit në rrugë të Allahut dhe mbrojtje e sheriatit të Tij. Dhe kjo është përgjegjësia e dijetarëve dhe thirrësve në rrugë të Allahut. E nuk mund ta rikthejë umeti krenarinë e tij derisa të pastrohet prej bidateve dhe të kthehet në sunetin e pastër, në të cilin e ka lënë Pejgamberi (salallahualejhiveselem).

 

Andaj edhe për këtë shkak kam vendosur t’i përmbledh disa gabime në lidhje me këtë temë, në mënyrë që t’i përkujtoj vëllezërit e mi prej kërkuesve të diturisë dhe thirrësve në rrugë të Allahut, që t’ua tërhjekin vërejtjen njerëzve nëpër xhami dhe pas namazeve, që të zhduket bidati dhe të ringjallet suneti, e të pastrohen gabimet dhe të ecë umeti përpara.

Prej gabimeve që bëhen në ditët e Bajramit janë:

1-Lënia e guslit në ditën e Bajramit: Disa prej njerëzve e lënë anash guslin dhe pastrimin në ditën e Bajramit, e kjo është gabim, ngase mustehab – e pëlqyer është marrja e guslit në këtë ditë.

2-Mosveshja e teshave më të mira në këtë ditë: Disa prej muslimanëve nuk i veshin teshat më të mira (më të reja dhe më të pastra) përveçse pasi të kthehen prej namazit të Bajramit, e kjo është gabim ngase njeriu duhet të zbukurohet prej kur të del për në namaz të Bajramit.

3-Mosngrënia asgjë ditën e Fitër Bajramit para daljes për në namaz: Disa prej njerëzve dalin për ta falur namazin e Fitër Bajramit, pa ngrënë asgjë, e kjo është gabim. Ngase e pëlqyer është ngrënia së paku disa hurma tek, para se të del njeriu për në namaz.

4-Ngrënia para se të falë namazin në ditën e Kurban Bajramit: E kjo është gabim, por duhet të mos ngrënë asgjë përveçse pasi ta falë namazin. Thotë Burejdeh (radijallahuanhu): “Pejgamberi (salallahualejhiveselem) nuk dilte në Fitër Bajram deri të hante ndonjë gjë, dhe nuk hante ndonjë gjë në Kurban Bajram deri të kthehej prej namazit“. (Transmeton Tirmidhiu me zinxhirë të mirë)

5-Kthyerja në shtëpi nga rruga e njëjtë: Shumë prej njerëzve të cilët shkojnë për ta falur namazin e Bajramit, kthehen pastaj në të njëjtën rrugë nga e cila kanë shkuar, ndërsa kjo është në kundërshtim me sunetin. Thotë Xhabiri (radijallahuanhu): “Pejgamberi (salallahualejhiveselem) në ditë të Bajramit, e ndërronte rrugën“. (Transmeton Buhariu)

6-Shkuarja hypur pa arsye për ta falur namazin: Më e mira është që të ecë në këmbë, përveç nëse është me arsye, si rruga e gjatë, etj. Thotë Aliu (radijallahuanhu): Prej sunetit është të dalësh në Bajram duke ecë në këmbë.

7-Lënia e tekbireve në ditët e Bajramit: Koha e tekbireve në Kurban Bajram fillon prej mëngjesit të ditës së Arafatit, deri në fund të ditëve të teshrikut (tri ditëve pas ditës së parë të Bajramit). Dhe kjo është vërtetuar nga Aliu, Ibn Mes’udi dhe Ibn Abasi (radijallahuanhum). Ndërsa në Fitër Bajram, fillon prej perendimit të diellit në ditën e fundit të Ramazanit, deri në faljen e namazit të Bajramit.

8-Caktimi i natës së Bajramit, për të falur namaz nate: Namazi i natës është i pëlqyer në çdo natë, por caktimi i natës së Bajramit duke menduar se ajo ka ndonjë vlerë të veçantë nga netët tjera, pa argument të sheriatit, është bidat i ndaluar.

9-Shkuarja në vendin e faljes së namazit në heshtje: Ndërsa muslimani duhet të fillon tekbiret prej kur të del prej shtëpie deri të arrin në vendfaljen e namazit.

10-Thënia se namazi i Bajramit është sunet dhe edhe nëse nuk e falë atë nuk ke mëkat: Shumë prej njerëzve kanë dëgjuar se falja e namazit të Bajramit është sunet, dhe nëse nuk e falë atë nuk ka mëkat, dhe duke u bazuar në këtë mendim i sheh disa prej tyre e falin namazin e sabahut, e pastaj flejnë në namaz të Bajramit, e kjo është gabim. Ngase e vërteta është se namazi i Bajramit është obligim, dhe mëkaton ai që nuk e falë atë përveç nëse e len me arsye.

11-Ezani dhe ikameti për namaz të Bajramit: Disa njerëz thërrasin ezanin dhe ikametin për namazin e Bajramit, ndërsa kjo është gabim, ngase është vërtetuar nga Pejgamberi (salallahualejhiveselem) se në namazin e Bajramit nuk ka ezan dhe ikamet.

12-Falja namaz para namazit të Bajramit apo pas tij: Disa prej njerëzve kur dalin në Bajram i falin dy rekatë, dhe disa e llogarisin këtë përshëndetje të xhamisë (tehijetul mesxhid), e disa sunet të Bajramit para farzit. E që të dyja këto janë gabim, ngase vendfalja (vendi i hapur ku falet Bajrami) nuk është xhami që të falet në të përshëndetje e xhamisë. (Ndërsa nëse falet Bajrami në xhami, atëherë falen dy rekatë si përshëndetje të xhamisë). Thotë Hafidh ibn Haxheri: Nuk është vërtetuar se në namazin e Bajramit ka sunet para apo pas tij.

13-Marrja e tekbireve me zë në namaz: Disa prej xhematit kur marrin tekbiret shtesë në namazin e Bajramit, i marrin ato me zë të lartë, e kjo është gabim.

14-Ndarja e hutbes në dy pjesë sikur hutbeja e xhumasë: Nuk është vërtetuar në ndonjë hadith, se Pejgamberi (salallahualejhiveselem) hutben e Bajramit e ka ndarë në dy pjesë sikur hutbeja e xhumasë.

15-Fillimi i hutbes së Bajramit me tekbir: Disa imamë e fillojnë hutben e Bajramit me tekbir, e kjo është gabim. E vërteta është të fillohet hutbeja e Bajramit me falenderim, sikur hutbeja e xhumasë.

16-Marrja e tekbireve në hutbeh: Disa imamë marrin tekbire në hutbeh, duke menduar se kjo është sunet dhe duke u bazuar në hadithin i cili thotë: “Pejgamberi (salallahualejhiveselem) merrte tekbir në hutben e Bajramit“. (Transmeton Ibn Maxheh) Por ky hadith është hadith i dobët.

17-Marrja e tekbireve me një zë, i gjithë xhemati së bashku: Thotë Ibnul Haxh: Sunet është të merr tekbir imami ditëve të teshrikut pas çdo namazi, me zë aq sa e dëgjon veten e tij, dhe të marrin gjithashtu xhemati secili në vete, duke mos iu bashkuar zërit të dikujt tjetër. Ndërsa atë të cilën e veprojnë sot shumica e njerëzve, që pasi të jep selam imami fillon muezini me tekbiret, e njerëzit e dëgjojnë dhe nuk marrin tekbire në shumicën e rasteve, apo edhe nëse marrin tekbire shkojnë pas zërit të tij, e kjo e gjitha është bidat që nuk ka bazë në sunetin e Pejgamberit (salallahu alejhiveselem), e as që e ka praktikuar ndonjë prej hulefave të drejtë pas tij.

18-Vizita e varrezave në ditën e Bajramit: Dhe kjo është gabim për disa shkaqe:

-Nuk është prej sunetit të Pejgamberit (salallahualejhiveselem) e as të ndonjërit prej sahabeve, caktimi i ditës së Bajramit për t’i vizituar varrezat.

-Dita e Bajramit është ditë gëzimi dhe disponimi, e jo ditë pikëllimi dhe vajtimi.

-Dita e Bajramit është ditë vizite për të gjallët, e jo ditë vizite për të vdekurit.

Thotë Shejh Albani: Dhe prej bidateve, është vizita e varrezave në ditën e Bajramit.

19-Lojrat e bixhozit në këtë ditë: Shumë prej të rinjëve luajnë futboll në ditë të Bajramit, dhe të gjithë paguajnë, e pastaj kush e fiton lojën i fiton edhe të hollat e mbledhura, e kjo është e ndaluar ngase kjo është bixhoz.

20-Dalja e femrave të pambuluara ditën e Bajramit: Shumë prej femrave dalin të stolisura në këtë ditë, ndërsa kjo është e ndaluar.

21-Përshëndetja për dore me gratë e huaja në ditë të Bajramit: Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “T’i shpohet koka ndonjërit prej jush me gjilpërë të hekurit, është më e mirë për të se sa të prekë një femër që nuk i lejohet atij“. (Shejh Albani hadithin e cilëson si të vërtetë)

22-Vizita e shokëve duke i lënë anash të afërmit e familjes.

23-Lënia e therrjes së kurbanit (në Kurban Bajram) duke pasur mundësi: Edhepse mendimi se therrja e tij është sunet i fortë është mendim më i saktë, megjithatë është mekruh – e papëlqyer lënia e therrjes së kurbanit, për atë që ka mundësi.

24-Shkurtimi i flokëve apo prerja e thonjëve për atë që don të therrë kurban: Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): ”Kush e sheh hënën e muajit Dhul-Hixheh dhe don të therrë kurban, mos t’i shkurton flokët e tij, dhe mos t’i pret thonjët e tij, deri ta therrë kurbanin”. (Transmeton Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu)

25-Mospërmendja e Allahut gjatë therrjes së kurbanit: Thotë Allahu (azzevexhel): “Dhe mos hani prej asaj që nuk është përmendur emri i Allahut”. (En’am – 121)

26-Mendimi se kafsha femër nuk pranohet për kurban: Dhe kjo është gabim, ngase kafsha femër pranohet sikur kafsha mashkull, dhe nuk ka ndonjë argument për ndalimin e therrjes kurban kafshën e cila është femër.

27-Shitja e kurbanit dhe dhënia e të hollave të varfërve: Duke menduar se kjo është më e mirë për të varfërit, ngase me ato holla nëse duan blejnë mish, e nëse duan blejnë tesha apo gjëra tjera.

28-Therrja e kurbanit natën e Bajramit: Disa njerëz e therrin kurbanin natën e Bajramit, dhe ua shpërndajnë mishin e tij të varfërve që të ushqehen me të në ditën e Bajramit. E kjo është gabim, ngase koha e therrjes së kurbanit fillon pas namazit të Bajramit, dhe përnfundon ditën e fundit të ditëve të teshrikut. (Ndërsa nëse therret para kësaj kohe, atëherë llogaritet vetëm sadaka, sikur sadakaja e ditëve tjera).

29-Bërja e pagesës therrësit (kasapit) prej mishit të kurbanit: Disa prej njerëzve i japin therrësit të kafshës prej mishit të kurbanit duke bërë me këtë pagesën e tij, e disa ia japin lëkurën, e e gjithë kjo është e ndaluar. Sepse pagesa duhet të bëhet prej pasurisë së tij (jasht kurbanit), e pastaj nëse don t’i jep mish si lëmoshë apo dhuratë, atëherë nuk ka ndonjë të keqe, vetëm me kusht mos të bëhet me të (mish të kurbanit) pagesë.

30-Shitja e lëkurës së kurbanit: Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Kush e shet lëkurën e kurbanit të tij, ai nuk ka kurban”. (Transmeton Hakimi me zinxhirë të mirë)

 

Shkroi: Shejh Vehid bin Abdu-Selam Bali

Përktheu: Hoxhë Omer Bajrami

www.omerbajrami.com

Go to top