JSN Epic - шаблон joomla Авто

Dita e Ashurës është dita kur e shpëtoi Allahu Musain (alejhiselam) dhe pasuesit e tij, dhe e fundosi Fir’aunin dhe parinë e tij. Thotë Abdullah Ibn Abasi (radijallahuanhu): “Erdhi Pejgamberi (salallahualejhiveselem) në Medine, dhe i gjeti jehudët duke agjëruar. U tha atyre: Cila ditë është kjo që ju po e agjëroni? Thanë: Kjo është ditë e madhe. Dita që në të Allahu e shpëtoi Musain dhe pasuesit e tij, dhe e fundosi Fir’anin dhe parinë e tij. E Musai e agjëroi këtë ditë si falenderim ndaj Allahut, dhe ne e agjërojmë.

Atëherë Pejgamberi (salallahualejhiveselem) tha: Ne kemi më shumë përparësi dhe meritë ndaj Musait (alejhiselam). Kështuqë agjëroi ai këtë ditë dhe urdhëroi në agjërimin e saj”. (Transmeton Muslimi)

Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Agjërimi i ditës së Arafatit shlyen mëkatet e vitit të kaluar dhe vitit që vjen, ndërsa agjërimi i ditës së Ashurës shlyen mëkatet e vitit të kaluar. (Transmeton Muslimi)

Agjërimi i kësaj dite nuk është obligim, por është i pëlqyer. Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Vërtetë dita e Ashurës është ditë prej ditëve të Allahut, kush don e agjëron atë, e kush don nuk e agjëron atë”. (Transmeton Muslimi)

Kësaj dite është e pëlqyer t’i shtohet edhe një ditë para apo mbrapa me agjërim, në mënyrë që mos të ju përngjasohet jehudëve. Pejgamberi (salallahualejhiveselem) tha: “Sikur të jem në vitin e ardhshëm, do ta kisha agjëruar edhe ditën e nëntë (një ditë para saj)”. (Transmeton Muslimi)

Thotë Imam Ibn Kajimi: Agjërohet një ditë para apo një ditë pas saj.

Por, nëse agjërohet vetëm dita e Ashurës, duke mos i bashkangjitur asaj ditë tjetër (para apo mbrapa),nuk ka ndonjë pengesë. Thotë Shejhul Islam Ibn Tejmijeh: Agjërimi i ditës së Ashurës i shlyen mëkatet e një viti,dhe nuk është mekruh – e papëlqyer nëse agjërohet vetëm një ditë. (El-Ihtijarat 10)

Omer Bajrami

14.12.2010

www.omerbajrami.com

Go to top