JSN Epic - шаблон joomla Авто

Ka thënë Muhamedi (salallahualejhiveselem): “Në Xhenet janë tetë dyer, dhe në të është një derë e cila quhet Rajjan, e nuk hyn nga ajo derë askush përveç agjëruesve”. (Buhariu dhe Muslimi). Dhe ka thënë: “Xheneti i ka tetë dyer, ndërsa Xhehenemi i ka shtatë dyer”. (Ahmedi, dhe hadithi është i vërtetë – Es-Sahiha 1812).

 

Gjithashtu Muhamedi (salallahualejhiveselem) ka thënë: “Ai që ka qenë prej njerëzve të namazit, do të thirret nga dera e namazit, ai që ka qenë prej njerëzve të xhihadit, do të thirret nga dera e xhihadit, ai që ka qenë prej njerëzve të agjërimit, do të thirret nga dera Rajjan, dhe ai që ka qenë prej njerëzve të sadakasë (lëmoshës), do të thirret nga dera e sadakasë”. (Buhariu dhe Muslimi).

 

Kështuqë në këtë hadith janë përmendur katër prej dyerve të Xhenetit, dhe ato janë: Dera e namazit, Dera e xhihadit, Dera Rajjan (e agjërimit) dhe Dera e sadakasë.

 

Dera e pestë është Dera El-Ejmen, dhe nga ajo do të hyjnë ata që i janë mbështetur Allahut për çdo gjë. Thotë Muhamedi (salallahualejhiveselem) në fund të hadithit të gjatë të ndërmjetësimit: “Do të thuhet: O Muhamed, futi në Xhenet prej umetit tënd ata për të cilët nuk ka llogari, nga dera El-Ejmen prej dyerve të Xhenetit”. (Buhariu dhe Muslimi).

 

Dera e gjashtë është Dera El-Valid (e respektimit të prindërve). Ka thënë Muhamedi (salallahualejhiveselem): “El-Valid është dera e mesme, prej dyerve të Xhenetit”. (Tirmidhiu, Ibn Maxheh, Hakimi etj. Dhe hadithi është i vërtetë – Es-Sahiha 2/618).

 

Dhe dera e shtatë është Dera La haule ve la kuvete il-la bil-lah (për ata të cilët e thonë shumë këtë fjalë). Thotë Kajs ibn Sead ibn Ubadeh, se Muhamedi (salallahualejhiveselem): “A don të tregoj për një derë prej dyerve të Xhenetit? Thash: Po, gjithsesi. Tha: La haule ve la kuvete il-la bil-lah”. (Tirmidhiu, Hakimi, Ahmedi, dhe hadithi është i vërtetë – Es-Sahihah 1746).

 

Ndërsa dera e tetë, mund të jetë Dera e haxhit, sikur që ka thënë Ibn Haxheri, edhepse kjo derë nuk është përmendur në ndonjë prej haditheve të vërteta. Apo ka mundësi të jetë Dera e pendimit, sikur që ka thënë Muhamedi (salallahualejhiveselem): “Xheneti i ka tetë dyer, shtatë të mbyllura, dhe një të hapur për pendim, deri të lindë dielli kah perendimi”. (Hakimi, Taberani, dhe këtë hadith disa e kanë bërë të mirë, e disa të dobët – Daiful Xhami’ 4745).

 

Ndërsa dera e cilat quhet Ed-Duha (për ata të cilët e kanë falur namazin Duha vazhdimisht), hadithet për këtë janë shumë të dobëta, ose të shpifura. Sikur që ka ardhur se: “Në Xhenet është një derë e cila quhet Ed-Duha. E kur të bëhet kijameti, do të thërret një thirrës: Ku janë ata të cilët e kanë falur namazin Duha vazhdimisht? Kjo është dera e juaj, hyni nga kjo derë me mëshirën e Allahut (azze ve xhel). (Hadithi është shumë i dobët – Ed-Daifeh 392). Apo në transmetimin tjetër: “Në Xhenet është një derë e cila quhet Ed-Duha, nuk do të hyn askush nga ajo, përveç atyre që e kanë ruajtur namazin Duha”. (Hadithi është i shpifur – Ed-Daifeh 394).

 

Shkroi: Shejh Muhamed Shuman Er-Ramlij

Përktheu: Hoxhë Omer Bajrami

www.omerbajrami.com

Go to top