JSN Epic - шаблон joomla Авто

Duke e pasur parasyshë se dituria nuk merret që në fillim prej librave, por patjetër duhet të ketë për të hoxhë nga i cili i merr çelësat e diturisë, në mënyrë që të jeshë më i sigurtë nga gabimet dhe devijimet, ti patjetër duhet të vishesh me petkun e ruajtjes së vlerës së tij, ngase ky është titulli i shpëtimit, arritjes dhe suksesit tënd. Pra, le të jetë hoxha yt vend rrespekti, nderimi, mirësie dhe butësie. Merr të gjitha normat sjelljes duke qenë me hoxhën tënd, gjatë qëndrimit, bisedës, pyetjes së mirë dhe dëgjimit, edukatën e mirë gjatë leximit të librit me të, duke lënë anash teprimin dhe polemikën para tij, duke mos dalur me fjalë apo veprim para tij, duke mos qenë i tepruar në kërkimin e përgjigjes së tij, duke lënë anash teprimin (e fjalëve), e sidomos para njerëzve, ngase kjo te ti shkakton mashtrim dhe pëlqim të vetëvetes, ndërsa te hoxha yt dëshprim dhe mërzitje.

 

Mos e thirr atë me emrin e tij apo pseudonimin e tij, sikur thënia: O hoxhë Filan! Por thuaj: O hoxha im, apo o hoxha jonë! Mos e thirr atë në emër, ngase kjo është edukatë më e lartë, dhe mos bisedo me të duke përdorur përemrin (e vetës së dytë, njëjës) Ti, dhe mos e thirr atë prej larg pa kurrfar imponimi.

Shiko atë që ka përmendur Allahu prej argumentimit për edukatën ndaj Mësuesit të hajrit për mbarë njerëzimin (salallahualejhiveselem) në fjalën e Tij ku thotë: “Mos e bëni thirrjen tuaj ndaj të Dërguarit, sikur thirrjen tuaj ndaj njëri tjetrit”. (Nur – 63)

Sikur nuk të takon që ta thërrasësh prinidin tënd prej prindërisë së baltës (gjakut): O Filan, apo o babai im Filani, gjithashtu nuk të takon një gjë e tillë edhe ndaj hoxhës tënd.

 

Angazhohu me nderimin e mexhlisit të tij dhe shfaqjes së gëzimit prej ligjeratës dhe përfitimit prej tij. E nëse vëren ndonjë gabim apo lëshim te hoxha yt, mos të bjen ai prej syrit tënd, sepse kjo bëhet shkak për mospërfitimin prej diturisë së tij. E kush është ai që mund të shpëtojë dhe të mbetet i pastër prej çdo gabimi?

Dhe kujdes, mos të sjellesh ndaj tij me atë që e hidhëron atë, apo ta vësh në provim diturinë dhe durimin e tij.

Vërejtje: Kërkoj mbrojtje prej Allahut për ty, nga veprimet e të huajve, tarikatxhive dhe bidatxhive, prej nënshtrimit të dalur nga edukata e Sheriatit.. si ulja e kokës gjatë përshëndetjes me të, përdorimit të fjalëve nënçmuese (për veten), si: Zotëriu im, prej fjalëve të robërve dhe shërbetorëve..

 

Komentim (i shkurtër) i fjalëve të lartpërmendura:

Autori thotë: “Edukata e xhematit ndaj hoxhës së tyre – Kjo është prej gjërave më të rëndësishme për edukatën e kërkuesit të diturisë. Ta llogaritë hoxhën e tij mësues dhe edukues. Mësues që merr prej tij dituri dhe edukues që merr prej tij edukatë. E nëse njeriu nuk ka besim në këto dy gjëra ndaj hoxhës së tij, nuk mund të arrijë të përfitojë dobitë e kërkuara prej tij.

Pra, le të jetë hoxha yt vend rrespekti, nderimi, mirësie dhe butësie” – E gjithë kjo është e vërtetë, por a veprojmë ne me të? Pasha Allahun nuk e di!!

Merr të gjitha normat sjelljes duke qenë me hoxhën tënd, gjatë qëndrimit dhe bisedës me të” – Dhe kjo është e vërtetë. Ulu me një ulje të edukuar. Psh: Mos i shtri këmbët para tij, sepse kjo është prej edukatës së keqe, dhe mos qëndro i shtrirë, ngase edhe kjo nuk është prej edukatës, e sidomos gjatë ligjeratës. Ndërsa nëse është qëndrimi normal (jo ligjeratë), atëherë çështja është pak më e lehtë. Gjithashtu edhe gjatë bisedës me të, mos bisedo sikur je duke biseduar me shokun tënd. Kjo nuk është në rregull. Por bisedo me të sikur bisedon i biri me babain e tij, me rrespekt dhe modesti.

Pyetjes së mirë dhe dëgjimit” – Nëse parashtron pyetje, pyet qetë dhe me butësi. Gjithashtu dëgjimi i mirë është me rëndësi, në mënyrë që të jetë zemra dhe fytyra yte drejtuar kah hoxha yt. Mos qëndro ulur me tërë trupin tënd, ndërsa zemra yte është jashtë ligjeratës, ngase kjo të humbë mirësi të madhe..

Duke lënë anash teprimin dhe polemikën ndaj tij” – Polemika nënkupton: Polemizimin ndaj hoxhës, nëse ai përgjigjet, thotë: E nëse është kështu? Pasi të përgjigjet, thotë: E nëse ndodhë kështu? Dhe thotë: E nëse, nëse.. dhe hoxha i përgjigjet. E pastaj, nëse mund të ndodhë (paramendohet)? Hoxha i përgjigjet edhe për këtë. E pastaj nxjerr edhe një paramendim tjetër më të ngushtë se i pari.. Kjo është polemikë e cila nuk ia vlen.

Duke mos dalur me fjalë apo veprim para tij” – Allahu na ndihmoftë! Kjo gjë është prezente në mesin tuaj. Ndonjëherë dikush përgjigjet para se të flas me të. Apo me veprim: Edhe kjo është prej mosedukatës. Prej kësaj është edhe nëse hoxha del prej xhamisë, dhe këpucët e nxënësit janë në të djathtë, ndërsa të hoxhës në të majtë, ai kalon para tij që t’i merr këpucët e tij..

Mos e thirr atë me emrin e tij apo pseudonimin e tij” – Subhanallah! Kjo tash është vërejtje, mos e thirr atë me emrin e tij. Mos i thuaj: O Muhamed, o Abdullah, o Alij, apo me pseudonimin e tij, si: O hoxhë Muhamed (Mulla Muhamed), o hoxhë Abdullah, mos thuaj kështu. Por thuaj: (O hoxhë), o hoxha im apo o hoxha jonë.

Mos e thirr në emër, ngase kjo është edukatë më e lartë” – A vlen kjo edhe për thirrjen e prindit? Po, mos e thirr atë me emrin e tij. E nëse tregon për të? Ka ndodhur te sahabet që i kanë përmendur me emër prindërit e tyre, sikur thotë Ibn Omeri: Ka thënë Omeri, dhe të ngjashme me këtë.. Kështuqë, thuhet: Tregimi për të është më i lehtë se sa thirrja e tij, ngase ti nëse e thërret prindin tënd duke thënë: O Filan, atëherë kjo është mosedukatë..

Mos bisedo me të duke përdorur përemrin (e vetës së dytë, njëjës) Ti” – Si duhet të thuash? Mos thuaj: Ti ke thënë kështu dhe kështu, në ligjeratën e kaluar ti ke thënë kështu, ngase kjo nuk prej edukatës dhe është shenjë se ti nuk je i kënaqur me fjalën e tij. E si duhet të thuash? Thuaj: Kemi thënë kështu, ka kaluar (kemi mësuar) kështu dhe kështu..

Mos e thirr prej larg pa kurrfar imponimi” – Prej në fund të rrugës: O Filan, o Filan (O hoxho), kjo nuk është në rregull, përveçse në ndonjë rast imponimi dhe rreziku..

Angazhohu me nderimin e mexhlisit të tij dhe shfaqjes së gëzimit prej ligjeratës dhe përfitimit prej tij” – Gjithashtu kjo është me rëndësi, të shfaqësh gëzim prej ligjeratës dhe përfitimit prej tij, duke qenë syhapur (gjatë ligjeratës), e jo ta mërzitësh atë. Njëherë e shfleton librin, njëherë prekë në tokë, njëherë nxjerrë misvakun dhe pastron dhëmbët me të, njëherë rregullon flokët dhe të ngjashme me këtë, kjo nënkupton mërzitje. Duhet që njeriu të jetë i gëzuar, sikur ka zbritur në një kopsht dhe është duke mbledhur frytet e tij.

Dhe kujdes, mos të sjellesh ndaj tij me atë që e hidhëron atë, apo ta vësh në provim diturinë dhe durimin e tij” – Kjo është e vërtetë. Disa prej njerëzve thonë: Do ta provojmë hoxhën (nëse e di përgjigjen apo jo). E pastaj vjen me pyetje problematike dhe fillon të parashtrojë pyetje. E çdo herë që hoxha i përgjigjet, ai thotë: E nëse është kështu? Thotë: Përgjigjja është kështu. E pastaj pyet, dhe shikon se a do të hidhërohet hoxha apo jo. E nëse hoxha hidhërohet në këtë rast? A ka të drejtë apo jo? Po, ka të drejtë..

Dhe në fund thotë: “Kërkoj mbrojtje prej Allahut për ty, nga veprimet e të huajve, tarikatxhive dhe bidatxhive, prej nënshtrimit të dalur nga edukata e Sheriatit.. si ulja e kokës gjatë përshëndetjes me të, përdorimit të fjalëve nënçmuese (për veten), si: Zotëriu im, prej fjalëve të robërve dhe shërbetorëve..”


Shkroi: Shejh Bekër Ebu Zejd (rahimehullah)
Komentoi: Shejh Ibn Uthejmin (rahimehullah)

Përktheu: Omer Bajrami
www.omerbajrami.com

Go to top