JSN Epic - шаблон joomla Авто

Njerëzit në Ditën e Gjykimit nuk do të jenë të njëjtë dhe të barabartë, por ata do te kenë dallim ndërmjet tyre, në bazë të punëve të tyre. E në mesin e tyre, do të jenë njerëzit e mirë të cilët i janë nënshtruar Allahut dhe kanë pasuar të Dërguarin e Tij. Prej këtyre njerëzve, janë:

 

-Ata të cilët kanë qenë të rregullt në namazin e tyre – Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Unë jam i pari që do të më lejohet t’i bëj atë ditë sexhde Allahut, dhe i pari që do ta ngriti kokën, dhe do ta dalloj umetin tim prej të gjithë umeteve, që disa prej tyre do të jenë pas meje, e disa në të djathtë dhe disa në të majtë. Sahabet thanë: O i Dërguar i Allahut, si do t’i dallosh ata, kur njerëzit janë prej kohën e Nuhut (alejhiselam), deri në ditën e fundit? Tha Pejgamberi (salallahualejhiveselem): Ata do të kenë shenja dhe në fytyrat e tyre do të ketë dritë prej abdesit që e kanë marrur, e nuk do të jetë sikur ata askush tjetër pos tyre”.

 

-Ata të cilët janë zbardhur në Islam – Thotë Pejgamberi (salallahualejhi veselem): “Kush zbardhet (thinjet) duke qenë në Islam, ajo e thinjura e tij do të jetë dritë për të në Ditën e Gjykimit”.

 

-Muezinat – Muhamedi (salallahualejhiveselem) thotë: “Muezinat do të kenë qafën më të gjatë në Ditën e Gjykimit”.

 

-Ata që do të hyjnë nën hijen e Allahut – Pejgamberi (salallahualejhiveselem) thotë: “Janë shtatë grupe të njerëzve që Allahu do t’i fusë nën hijen e Tij, atë ditë që nuk ka hije tjetër pos asaj hije: Imami i drejtë, i riu i cili e ka kaluar rininë e tij në adhurim ndaj Allahut, njeriu që zemra e tij ka qenë e lidhur për xhaminë, dy njerëz që e kanë dashur njëri tjetrin për hirë të Allahut, njeriu të cilin e ka ftuar një grua e bukur dhe me pozitë, e ai ka thënë: Unë kam frikë Allahun, njeriu që ka dhënë sadaka me dorën e djathtë, dhe nuk e ka kuptuar këtë as dora e majtë dhe njeriu i cili e ka kujtuar Allahun në vetmi dhe i kanë lotuar sytë”.

 

-Ata që do të kenë të drejtë të zgjedhin prej hyrive të Xhenetit – Thotë pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Ai njeri i cili e frenon veten kur atij i bëhet padrejtësi, duke pasur mundësi që ta kthej atë, Allahu do ta ftojë atë në Ditën e Gjykimit që të zgjedhë prej hyrive të Xhenetit çfarë të dëshirojë”.

 

-Shehidat – Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Shehidat dallohen me gjashtë gjëra prej njerëzve të tjerë: Me pikën e parë të gjakut që i rrjedh shehidit, atij i falen të gjitha mëkatet, e sheh vendin e tij në Xhenet, shpëton prej dënimit të varrit, në Ditën e Gjykimit është i sigurtë, kur të gjithë frikësohen prej trishtimit të asaj dite, i vendoset në kokë një taxh, një diamant i vogël i të cilit është më me vlerë se gjithë kjo botë dhe çka ka në të, martohet me shtatëdhjetëedy hyri dhe i mundësohet të ndërmjetësojë për shtatëdhjetë vetë prej të afërmve të tij”.

 

-Ata që do të qëndrojnë në minbere – Muhamedi (salallahualejhiveselem) thotë: “Ata njerëz të cilët kanë qenë të drejtë në këtë dunja, do të qëndrojnë në minbere drite në të djathtën e Allahut, dhe të dy duart e Allahut janë të djathta, ata të cilët kanë qenë të drejtë në gjykimin e tyre, në familjet e tyre dhe në çdo gjë që iu është dhënë përgjegjësi”.

 

-Ata të cilët ua kanë lehtësuar gjendjen muslimanëve – Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Ai i cili ia largon muslimanit një brengë, Allahu ia largon atij brengat e Ditës së Gjykimit, dhe ai i cili ia mbulon të metat (mëkatet) një muslimanit, Allahu ia mbulon atij në Ditën e Gjykimit”.

(Pjesë e shkëputur nga ligjerata: Llojet e njerëzve në Ditën e Gjykimit)

 

Ligjeroi: Omer Bajrami

Shkroi: Hetem Ibrahimi

www.omerbajrami.com

Go to top