JSN Epic - шаблон joomla Авто

-Teuhidi - Pejgamberi (salallahualejhiveselem) thotë: “Kush dëshmon se nuk ka Zot që meriton të adhurohet pos Allahut, ai person do të hyjë në Xhenet”. Gjithashtu në një hadith tjetër thotë: “Kush dëshmon se nuk ka kush që meriton të adhurohet pos Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, Allahu atij ia bën haram Xhehenemin”.

-Të vdekurit duke mos i bërë shirk Allahut - Pejgamberi (salallahualejhi veselem) thotë: “Ai i cili vdes duke mos i bërë shirk Allahut, ka për të hyrë në Xhenet dhe ai i cili vdes duke i bërë shirk Allahut, ka për të hyrë në Xhehenem”.

-Të vdekurit duke e besuar Allahun dhe ringjalljen para Tij: Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Ai i cili dëshiron të shpëtojë nga Xhehenemi dhe të futet në Xhennet, le t’i vijë atij fundi (vdekja), duke e besuar Allahun dhe duke e besuar ringjalljen para Tij”.

-Thënia: Raditu bilahi rabba, ve bil Islami dina, ve bi Muhamedin nebijja - Pejgamberi (salallahualejhiveselem) thotë: “Kush thotë: Raditu bilahi rabba, ve bil Islami dina, ve bi Muhamedin nebijja, atij i bëhet obligim Xheneti”.

-Rrespektimi i Pejgamberit (salallahualejhiveselem) - Pejgamberi (salallahualejhiveselem) thotë: “I gjithë umeti im do të hyjë në Xhenet, përveç atyre që rrefuzojnë (nuk dëshirojnë). Sahabet thanë: A ka dikush që rrefuzon të hyjë në Xhenet, o i Dërguari Allahut? I Dërguari tha: Ai që më rrespekton (pason) mua, ai do të hyjë në Xhenet, e ai që më kundërshton mua, ai ka rrefuzuar të hyjë në Xhenet”.

-Thënia e duasë (lutjes) pas abdesit - Pejgamberi (salallahualejhiveselem) thotë: “Nuk ka asnjë person prej jush, i cili merr abdes ashtu siç është më mirë dhe pastaj thotë: Esh-hedu el-la ilahe il-lallah vahdehu la sherike lehu, ve esh-hedu enne muhammeden abduhu ve rasuluhu, përveçse i hapen atij tetë dyert e Xhenetit, për të hyrë ka cila derë të dëshirojë”.

-Falja e namazit rregullisht - Pejgamberi (salallahualejhiveselem) thotë: “Pesë namaze Allahu i ka bërë obligim për robërit e Tij, kush i falë ato dhe nuk mangëson ndonjë gjë prej tyre, Allahu ka garantuar (ka dhënë besë) për të se do ta fusë në Xhenet, ndërsa ai person i cili nuk vjen me to, për të nuk ka garancë (besë) para Allahut, nëse don Allahu e falë, e nëse don e dënon”.

-Falja e suneteve rregullisht – Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Nuk ka asnjë rob musliman, i cili i falë për hirë të Allahut dymbëdhjetë rekate nafile, përveçse Allahu ia ndërton atij një shtëpi në Xhenet”.

-Falja e namazit të natës - Pejgamberi (salallahualejhiveselem) thotë: “Në Xhenet ka dhoma, që nga jashtë duket brendia e tyre dhe nga brenda duket e jashtmja e tyre, Allahu i ka përgatitur për ata që i ushqejnë fukaratë, e përhapin selamin dhe falin namaz nate kur njerëzit flejnë”.

-Falja e dy rekateve pas abdesit - Pegamberi (salallahualejhiveselem) thotë: “Ai i cili merr abdes mirë dhe i falë dy rekate, duke qenë i koncentruar me zemrën e tij dhe duke u kthyer kah Allahu me fytyrën e tij, atij i bëhet obligim Xheneti”.

-Ndërtimi i xhamive - Pejgamberi (salallahualejhiveselem) thotë: “Ai i cili e ndërton një xhami për hirë të Allahut, Allahu ia ndërton atij një shtëpi në Xhenet”.

-Dhënia e zekatit dhe vizita e të afërmëve - Pejgamberit (salallahualejhi veselem) një person i bëri pyetje dhe tha: “O i Dërguari Allahut, më trego për një vepër që nëse e bëj do të hy në Xhenet? I Dërguari tha: Ta adhurosh Allahun duke mos i shoqëruar Atij asnjë send, ta falësh namazin, ta japësh zekatin dhe t’i vizitosh të afërmit”.

-Agjërimi i muajit Ramazan – Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Kush e agjëron muajin Ramazan, duke qenë i bindur në shpërblimin e Allahut dhe duke qenë i sinqertë në adhurimin ndaj Tij, Allahu ia falë atij mëkatet”.

-Haxhi i pranuar - Pejgamberi (salallahualejhiveselem) thotë: “Umreja deri në Umren tjetër, i shlyen mëkatet ndërmjet tyre, ndërsa Haxhi i pranuar, nuk ka për të shpërblim përveç Xhenetit”.

-Dalja në luftë në rrugë të Allahut - Pejgamberi (salallahualejhiveselem) thotë: “Atij që i pluhurosen këmbët në rrugë të Allahut, Allahu ia bën haram atij Xhehenemin”.

-Të vdekurit duke e mbrojtur fenë, nderin, familjen dhe pasurinë – Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Ai i cili vdes duke e mbrojtur pasurinë e tij është shehid, ai i cili vdes duke e mbrojtur gjakun e tij është shehid, ai i cili vdes duke e mbrojtur familjen dhe nderin e tij është shehid dhe ai i cili vdes duke e mbrojtur fenë e tij është shehid”.

-Lutja e sinqertë ndaj Allahut për të qenë banorë i Xhenetit - Pejgamberi (salallahualejhiveselem) thotë: “Ai i cili e lutë Allahun që ta bëjë prej banorëve të Xhenetit tri herë, atëherë Xheneti flet dhe thotë: “O Zot, bëre atë prej banorëve të Xhenetit”. Dhe ai i cili e lutë Allahun që ta mbrojë nga zjarri i Xhehenemit tri herë, atëherë Xhehenemi flet dhe thotë: “O Zot, mbroje atë prej zjarrit të Xhehenemit”.

-Leximi dhe mësimi i Kur’anit - Pejgamberi (salallahualejhiveselem) thotë: “… i thuhet atij në Ditën e Gjykimit: “Lexo Kur’an dhe vazhdo në leximin tënd dhe ngritu në Xhenet, deri në ajetin e fundit që do ta lexosh”.

-Leximi i Ajetul-Kursij pas çdo namazit farz – Thotë Pejgamberi (salallahu alejhiveselem): “Ai i cili e lexon Ajetul-Kursij pas çdo namazi (farz), nuk e pengon atë për të hyrë në Xhenet përveç vdekjes”.

-Marrja e rrugës për kërkim të diturisë - Pejgamberi (salallahualejhiveselem) thotë: “Kush e merr rrugën për të kërkuar dituri të dobishme, Allahu nëpërmjet saj ia lehtëson rrugën për të hyrë në Xhenet”.

-Edukimi i vajzave - Pejgamberi (salallahualejhiveselem) thotë: “Kush ka vajza dhe sjellet mirë me to, i edukon ato si duhet, ato i bëhen perde (pengesë) prej zjarrit të Xhehenemit”.

-Përkujdesja ndaj jetimit – Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Unë, me kujdestarin e jetimit, në Xhenet do të jemi afër sikur këta dy gishta (gishti tregues dhe gishti i mesëm), sikur këta (gishtat) që janë afër, ai person do të jetë afër me mua në Xhenet”.

-Morali i mirë - Pejgamberi (salallahualejhiveselem) thotë: “Njerëzit që do të jenë më afër meje, më të dashur tek unë në Ditën e Gjykimit do të jenë ata që e kanë pasur moralin e mirë”.

-Turpi - Pejgamberi (salallahualejhiveselem) thotë: “Turpi është prej imanit, ndërsa imani të çon në Xhenet”.

-Ruajtja e gjuhës dhe organit - Pejgamberi (salallahualejhiveselem) thotë: “Kush më garanton atë që e ka ndërmjet dy mjekrrave (gjuhën) dhe atë që e ka ndërmjet dy këmbëve (organin), ia garantoj atij Xhenetin”.

-Të qajturit për hirë të Allahut - Pejgamberi (salallahualejhiveselem) thotë: “Dy lloje të syve nuk ka për t’i prekur zjarri i Xhehenemit: Ata sy që kanë ruajtur në luftë në rrugë të Allahut dhe ata sy që kanë lotuar për hirë të Allahut”.

-Sabri (durimi) kur njeriut i vdes fëmiu i tij - Pejgamberi (salallahualejhi veselem) thotë: “… Ju thotë Allahu melaikeve: Ç’është puna me robin tim? Melaiket thonë: O Zot, ia kemi marrur atë që ai e don më së shumti. Allahu pastaj thotë: A ia keni marrur loçkën e zemrës, atë që e ka më të dashur në këtë dunja? Melaiket thonë: Po. Allahu thotë: E çka tha robi im? Melaiket thonë: Të falënderonte Ty o Zot, bënte sabër. Atëherë Allahu thotë: Ndërtojani robit tim një shtëpi në Xhenet dhe emërtojeni atë: Shtëpija e Hamdit (falënderimit).”

-Mëshira ndaj kafshëve – Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Një person që ishte etur aq shumë, duke kaluar rrugës, e pa një pus dhe hyri dhe mori ujë për vete dhe piu. Pastaj e pa një qen të cilit i ishte terrur goja dhe tha: Edhe ky qenka etur ashtu siç qesh etur unë më parë. Pastaj zbriti edhe një herë në atë pus dhe mori ujë me nallen e tij dhe i dha për të pirë qenit. Për këtë, Allahu ia fali mëkatet dhe e futi në Xhenet”.

Ligjeroi: Hoxhë Omer Bajrami
Shkroi: Hetem Ibrahimi
www.omerbajrami.com

Go to top