JSN Epic - шаблон joomla Авто

Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Allahu (subhanehuveteala) thotë: “Zoti yt krijon çka të dojë dhe zgjedh kë të dojë”. (Kasas – 68) Allahu (subhanehuveteala) prej gjithë krijesave të Tij që i ka krijuar, i ka dalluar dhe i ka veçuar disa. Allahu i ka krijuar xhenetet, dhe prej gjithë atyre e ka dalluar dhe veçuar xhenetin Firdeus. Allahu i ka krijuar melaiket, dhe prej gjithë atyre i ka dalluar Xhibrilin, Mikailin dhe Israfilin. Allahu i ka krijuar gjithë njerëzit, ndërsa prej tyre i ka dalluar pejgamberët. E prej gjithë pejgamberëve ka dalluar Ulul Azmin (Nuhun, Ibrahimin, Musain, Isain dhe Muhamedin alejhimuselam). E prej atyre pesëve i ka dalluar dy pejgamberë, Ibrahimin dhe Muhamedin (alejhimeselam). E prej tyre, e ka dalluar dhe veçuar Muhamedin (salallahualejhiveselem). Allahu prej gjithë vendeve të tokës, e ka dalluar Meken dhe Medinen, dhe prej gjithë xhamive ka dalluar Qaben, xhaminë e Pejgamberit (salallahualejhiveselem) dhe Mesxhidul Aksanë. Gjithashtu Allahu prej gjithë muajve e ka veçuar muajin e bekuar të Ramazanit, dhe prej gjithë netëve e ka dalluar natën e Kadrit.

Allahu (subhanehuveteala) e ka veçuar muajin e Ramazanit me disa veçori:

-Në këtë muaj ka zbritur Kur’ani. Thotë Allahu (subhanehuveteala): “Muaji i Ramazanit që në të u zbrit Kur’ani”. (Bekareh – 185)

-Në këtë muaj Allahu i hapë dyert e Xhenetit. Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Në këtë muaj Allahu i hapë dyert e Xhenetit, i mbyllë dyert e Xhehenemit, dhe prangosen shejtanët”.

-Në këtë muaj Allahu muslimanëve ua falë mëkatet. Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Kush e agjëron muajin e Ramazanit me besim (sinqeritet) dhe shpresë (në shpërblimin e Allahut), Allahu atij ia falë mëkatet”. Gjithashtu Pejamberi (salallahualejhiveselem) thotë: “Pesë kohët e namazit, xhumaja deri në xhuma, Ramazani deri në Ramazan, janë shlyes të mëkateve nëse njeriu ruhet prej mëkateve të mëdha”.

-Në këtë muaj është një natë më me vlerë se njëmijë muaj. Thotë Allahu (subhanehuveteala): “Nata e Kadrit është më me vlerë se njëmijë muaj”. (Kadër – 2)

-Agjërimi do të ndërmjetësojë për agjëruesin në Ditën e Gjykimit. Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Agjërimi dhe Kur’ani do të ndërmjetësojnë në Ditën e Gjykimit.., do të thotë agjërimi: O Zot, unë ia kam ndaluar ushqimin gjatë ditës, dhe ia kam ndaluar disa dëshira tjera, për hirë tim falja mëkatet dhe për hirë timin fute në Xhenet.. Dhe Allahu do ta pranojë ndërmjetësimin e tyre”.

-Agjërimi e mbron njeriun prej zjarrit të Xhehenemit. Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Ai i cili e agjëron një ditë për hirë të Allahut, Allahu fytyrën e tij e largon prej zjarrit të Xhehenemit shtatëdhjetë vite”.

-Agjërimi bëhet shkak që njeriu të hyjë në Xhenet. Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Xheneti e ka një derë e cila e ka emrin Rejjan, nga kjo derë do të hyjnë agjëruesit, dhe do të thërret kjo derë dhe do të thotë: Ku janë agjëruesit? E pastaj do të ngriten agjëruesit dhe do të hyjnë nga kjo derë, e nuk do të hyjë dikush tjetër pos tyre”.

Me gjithë veçoritë dhe vlerat që ka ky muaj, njerëzit në pritjen e tij nuk janë të një rangu, por ata janë disa lloje:

-Një grup i njerëzve janë ata për të cilët nuk ka dallim ndërmjet Ramazanit dhe muajve tjerë. Për ta është njëjtë, sikur ka qenë për ta dje ashtu është edhe sot, për ta Ramazani nuk sjell kurrfar ndryshimi.

-Një grup tjetër i njerëzve gëzohen që vjen muaji i Ramazanit, sepse do të qëndrojnë me shoqëri në lojëra të ndryshme gjatë gjithë natës, dhe pastaj do të flejnë gjatë gjithë ditës. Bile disa prej njerëzve përgatiten me të madhe për këtë muaj, duke i mbushur frigoriferët me lloj lloj ushqimi dhe pije.. sikur Ramazani të jetë muaj i ngrënies dhe pirjes. Subhanallah, vërtetë kjo është një humbje e madhe.

-Ndërsa një grup tjetër janë ata që vërtetë kënaqen kur vjen muaji i Ramazanit, duke e shfrytëzuar atë ashtu siç është i kënaqur Allahu (subhanehuveteala).

Muslimani duhet ta presë Ramazanit në disa mënyra:

-Duke bërë dua. Selefi gjashtë muaj para Ramazanit kanë bërë dua duke thënë: O Zot na e mundëso ta arrijmë Ramazanin. E kur ka ardhur muaji i Ramazanit, gjashtë muaj tjerë kanë bërë dua duke thënë: O Zot, prano prej nesh agjërimin, prano prej nesh ibadetin.

-Duke bërë shume nijete. Muslimani duhet ta presë Ramazanin, duke bërë nijet ta agjërojë atë, t’i falë gjithë teravitë, ta lexojë Kur’anin më shumë se një herë, dhe shumë nijete tjera. E edhe nëse nuk mund t’i bëjë të gjitha këto, do të ketë shpërblim për nijetin e tij të mirë, sikur t’i kishte bërë ato. Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Vërtetë veprat shpërblehen sipas qëllimit”.

-Duke i mësuar rregullat e agjërimit. Para se të vijë muaji i Ramazanit, është obligim për çdo musliman që i është bërë farz agjërimi, t’i mësojë rregullat dhe kushtet e agjërimit.

-Duke e falenderuar Allahun. Muslimani duhet ta falenderojë Allahun për këtë dhunti dhe begati të madhe që Ai ia ka mundësuar ta arrijë këtë.

-Duke u penduar para Allahut. Në këtë muaj, muslimani duhet të ndryshojë jetën e tij, duke u penduar para Allahut, duke u larguar prej mëkateve dhe duke i shtuar ibadetet.

Lusim Allahun (subhanehuveteala) që të jemi prej atyre që e shfrytëzojnë këtë muaj ashtu siç është i kënaqur Ai, ta agjërojmë atë, ta presim Bajramin duke qenë Allahu i kënaqur me neve, dhe duke qenë të pastruar prej mëkateve. Lusim Allahun që ibadetet e këtij muaji të na i pranojë. Amin

Ligjeroi: Omer Bajrami

Shkroi: Hetem Ibrahimi

www.omerbajrami.com

Go to top