JSN Epic - шаблон joomla Авто

Dikush mërzitet që erdhi Ramazani, e dikush gëzohet që erdhi ai. Mërzitet ai që dert kryesor e ka barkun dhe qejfet e tij, ndërsa gëzohet ai që dert kryesor e ka të arrijë kënaqësinë dhe shpërblimin e Allahut.

 

Gara filloi. Të mundohemi ta shfrytëzojmë atë sa të kemi mundësi. Mos të vonohemi aq shumë, e të duam të fillojmë atëherë kur ajo të mbarojë. Allahu na i pranoftë ibadetet tona. Amin


Të parët tanë e kanë lutur Allahun gjashtë muaj para Ramazanit, që Allahu t’ua mundësojë ta arrijnë atë. Ndërsa ne ndoshta nuk e kemi lutur fare dhe megjithatë Allahu na e mundësoi. Nëse ishim të mangët në lutjen e arritjes së tij, së paku të mundohemi mos të jemi të mangët në shfrytëzimin e tij.


Dita e parë thuajse mbaroi. Falendero Allahun me zemër dhe shpirt që ta mundësoi këtë mirësi të madhe. Sa prej njerëzve ishin vjet me neve, ndërsa sivjet nuk janë! Apo sa prej tyre janë gjallë, por të sëmurë dhe nuk kanë mundësi të agjrojnë! Thuaj Elhamdulilah.. Falenderimi i takon Allahun për çdo gjë.


Falenderimi i takon Allahut që na e bëri agjërimin obligim. Sikur të ishte adhurim vullnetar, shumica nga ky adhurim do të ishim privuar.


Disa njerëz 11 muaj janë mirë me shëndet, ndërsa kur vjen Ramazani fillojnë të ju shfaqen sëmundjet e tyre, si arsye mashtruese për mosagjërim!

Thotë: Nuk mundem të agjëroj se nuk jam mirë diçka me shëndet..
I thua: Nëse agjëron, në iftar i ke dhuratë 1000 euro.
Thotë: Se di.. më duket pak më mirë jam..!

Në kohën e të parëve tanë, dijetarët dhe hoxhallarët i kanë lënë librat dhe ligjeratat dhe i janë përkushtuar shumë namazit të natës dhe leximit të Kur'anit. Ndërsa dijetarët dhe hoxhallarët e kësaj kohe, shkaku i nevojës së madhe dhe interesimit të njerëzve shumë në Ramazan, e ndoshta shumë pak jashtë tij, (përveç ibadetit) duhet që t'i përkushtohen shumë edhe davetit.. Kështuqë mos i harroni në lutjet e juaja që Allahu të gjithëve t'u jep sinqeritet, vullnet, sukses dhe bereqet.

Allahu i shpërbleftë të gjitha ato nëna, gra edhe motra, të cilat përveç agjërimit dhe lodhjes së tyre, përgatisin edhe iftarin dhe syfyrin për gjithë familjen e tyre. Amin

Në këto ditë të gjata të agjërimit, kujto njerëzit e varfër të cilët kalojnë kohë të gjatë të uritur, para edhe pas Ramazanit. Kujto, lutu për ta dhe falendero Allahun për mirësitë tua.

Kur ta shohësh dikënd që duke qenë agjërueshëm del jashtë kontrollit të tij si besimtar, mos mendo që e ka nzënë Ramazani, por dije se e ka nzënë Shejtani. Atë që e nzen Shejtani në atë mënyrë vepron, ndërsa atë që e nzen Ramazani vetëmse e qetëson.

Në prag të iftarit, lus Allahun (azzevexhel): Të varfërit tanë Allahu t’i ndihmon. Të sëmurit tanë t’i shëron. Të vdekurit tanë t’i mëshiron. Të burgosurit tanë t’i liron. Muslimanët kudo që janë Allahu t'i ndihmon. Gjendjen e tyre Allahu ta lehtëson. Zemrat e tyre, pleqve, grave e fëmijëve të tyre, Allahu t'i gëzon. Amin

Çudi është me atë agjërues i cili nuk e pi ujin hallall gjatë ditës, ndërsa e pi duhanin haram gjatë natës.

Shfrytëzo këtë shansë të Ramazanit, për të lënë duhanin!

Mos harro në kohën e ezanit të akshamit, (shkaku i urisë dhe etjes), të pëcjellës ezanin, të dërgosh salavatë dhe të bësh duanë e ezanit.

Dikush dertin më të madh në Ramazan e ka se ku dhe si ta bëjë ibadetin sa më mirë, ndërsa dikush dertin më të madh e ka se si dhe ku të hajë ushqimin më të mirë. Secil jeton me qëllimet e tij!

Shumë njerëz harrojnë hakun e fukarasë, reklamojnë pa ndalë të mirat e dunjasë. E shumë tjerë harrojnë dhimbjet e jetimit, nuk ndalen me reklamat e tyre të ushqimit. Mos e reklamo ushqimin tënd në Facebook, por ndihmoji me të atij që s’ka bukë.

Nëse nuk pendohesh në këto ditë që shejtanët janë të lidhur, a shpreson të pendohesh kur ata të jenë të zgjidhur?! Mos e mashtro veten duke i dhënë shpresë të gjatë dhe të kotë.. Pendohu tek Allahu (azzevexhel).

Në këto ditë vëlla mos u merr me askënd, por ndaje kohën dhe adhuroje Zotin tënd, pendohu tek Allahu dhe lute të të falë, se Ramazanin tjetër s'dihet a je gjallë.

Kur të ulesh në sofër për të pritë iftarë, mos harro të lutesh për çdo besimtarë. Agjërimin të gjithëve Allahu t'ua pranojë, dhimbjet e kësaj jete t'ua lehtësojë.

Përjetime të veçanta gjatë muajit të Ramazanit. Falenderimi i takon Allahut për të gjitha këto dhunti. Shiko ata të cilët i kalojnë këto net sikur të gjitha netët tjera, me gjëra të kota dhe të padobishme, e kupton mirësinë e dhuntive të shumta nga Allahu.. Elhamdulilah..

Ende pyet: A pranohet agjërimi pa namaz?

Po ti nëse edhe sot nuk falesh, a thua kur do të falesh?!

Mos thuaj sikur të kishte qenë çdoherë Ramazan, por këtë që është mundohu ta shfrytëzosh. Ende në dhjetëshin e dytë dhe vërehet tek shumë njerëz dobësimi i ibadetit.. llogarit sikur të kishte qenë Ramazani përgjithmonë!

Në këto ditë të shtrenjta, mundohu që të zgjerosh zemrën tënde dhe të falësh të tjerët. Ndërsa nga unë, çdokush i cili ka gabuar ndaj meje, e ka hallall atë inshAllah. Nuk dua askush të fajësohet, e as të fjaloset, e as të dënohet për mua..

Thonë: Hoxho, mos se disa njerëz e keqpërdorin këtë!

Them: Ne duhet të mundohemi për hirë të Allahut, e jo për të na e ditur ose mirpritur të tjerët.
Allahu na faltë të gjithëve. Amin   

 

Nuk di çka t'u them atyre që nuk kanë agjëruar, ah sikur kënaqësinë e Islamit ta kishit përjetuar, kënaqësia e adhurimit është lumturi në këtë jetë, megjithatë: Allahu ju udhëzoftë në rrugën e vërtetë.

 

Mos u bë nga ata që një muaj ndërtojnë, e pastaj gjithë atë që kanë ndërtuar, për një ditë e rrënojnë. Islami vazhdon, edhe nëse Ramazani përfundon!

 

Ende pa u liruar nga prangat shejtanët prej xhinëve, shejtanët prej njerëzve filluar t'ua përgatitin atyre terrenin me muzikë, këngë, përzierje dhe lakuriqësi, të cilën e quajtën: "Bajram Party". Mjerë ai që ka agjëruar, dhe ende këtë mashtrim nuk e ka kuptuar!

 

Mysafiri po lypë leje, po don me u nda prej meje,menzi lejen ia jap, me shpresë që ta takoj prap.

 

Shfrytëzoj rastin që të gjithëve t'ua uroj këtë festë të madhe të Fitër Bajramit, duke e lutur Allahun që të na i falë mëkatet tona dhe të na i pranojë ibadetet tona. Amin

 

Hoxhë Omer Bajrami

Go to top