JSN Epic - шаблон joomla Авто

Pas prezencës sime në emisionin në TopChannel, pati komente dhe analiza nga më të ndryshmet, e që disa prej tyre më imponojnë të bëj ca sqarime të cilat nuk janë të ditura ndoshta nga shumica e atyre që më kanë përcjellur.

1-Redaksia e televizionit më ka ftuar në atë emision për të bërë disa sqarime në lidhje me disa tema të cilat portalet i kanë përhapur në emër tim apo kundër meje. Ftesën e kam pranuar pasiqë më është dashur të sqaroj se disa prej tyre janë shpifje dhe nuk janë të vërteta, si thënia se: Femrat që heqin vetullat janë të pamoralshme ose lavire. Kam sqaruar se: Islami e ndalon një gjë të tillë, por atë femër nuk e quan lavire.

2-Nuk jam ftuar në debat me asnjë hoxhë në atë emision, se nuk ka vend për debat ndërmjet dy hoxhallarëve, në mesin e disa jomuslimanëve. Bile jam njoftuar se do të jenë prezent dy opionistë.. ndërsa vonë jam njoftuar se njëri prej tyre është Teolog.

3-Nuk kam zgjedhur temën vetë dhe as që ka logjikë të zgjedh një temë të tillë në mundësinë e të folurit për temat kryesore të fesë. Të njëjtën e kam përmendur disa herë edhe në emision, se temat e tilla nuk janë për jomuslimanët ose muslimanët fillestar. E kam parasyshë se nuk i spjegohet shkronja ZH atyre që nuk e dinë shkronjën A. E kam pranuar të flas për të, pasiqë për të jam akuzuar dhe shpifur nga të tjerët. Është shumë e lehtë thënia se nuk ka nevojë.. pa e përjetuar ndjenjën e qindra akuzave, shpifjeve dhe ofendimeve.

4-E kam ditur se tema ka të bëjë me femrat në Islam, me reklamimin e tyre, me zbukurimin e tyre, me ndalesat rreth tyre (si vetullat,depilimi,etj). Megjithatë, kam shpresuar të kem kohë për të bërë sqarime se si e trajton Islami femrën me gjithë urdhërat dhe ndalesat rreth saj, si dhe krahasimin e të tjerëve në trajtimin e femrës, temë e cila është me rëndësi për të gjithë, qofshin muslimanë apo jo muslimanë. Edhepse nuk kam pasur hapërsirë përveç se të jap përgjigje brenda 30 sekondave për pyetje të cilat kërkojnë 30 minuta.

5-E kam ditur se në emision do të marrin pjesë vetëm dy opionistë dhe një femër e cila nuk do të flas me mua fare. Ndërsa përveç saj, kanë qenë edhe dy të tjera për të cilat nuk kam pasur njohuri, e sidomos personi femër e cila ka pyetur dhe ka provokuar më së shumti.

6-E kam pritur diskutimin në një nivel më të lartë dhe serioz, pasiqë edhe tema e fesë çdo herë është serioze. Megjithatë, shumë nga të ftuarit në atë emision nuk kanë qenë të tillë.

7-Ka pasur ndoshta raste që është thënë ndonjë gjë kundër fesë dhe nuk kam kundërshtuar, shkaku që nuk e kam dëgjuar mirë, e assesi të kem heshtur ndaj ndonjë kundërshtimi.

8-Kam kushtëzuar që: Moderatori mos të jetë femër, mos të debatoj me femra, mos të ketë në publik pas meje femra, mos të ketë në emision muzikë dhe mos të ketë pyetje provokative. Më është premtuar realizimi i kushteve dhe kam marrë pjesë i qetë duke e llogaritur atë hallall. Edhepse.. Shumica e tyre janë plotësuar, e ndonjë prej tyre është anashkaluar.

9-Çdo gjë që e kam thënë në atë emision e them përsëri dhe nuk e ndryshoj asnjë shkronjë, edhepse.. ka pasur nevojë për më shumë kohë për të sqaruar gjërat më hollësisht.

10-Nuk kam qenë prezent në studio pasiqë kam mbaruar pjesën e dytë të emisionit dhe nuk kam ditur ç’është thënë më në pjesën e tretë të tij.

Në fund.. nga disa kundërshtime kam përshtypjen se për dikënd më shumë është problem emri im, se sa fjalët e mia. Kam përshtypjen se sikur të kishte qenë ndonjë emër tjetër në vend tim dhe të kishte folur njëjtë si unë, reagimi do të ishte ndryshe.. dhe këtë, duke e bazuar e nga emisione tjera të kaluara për të cilat nuk ka pasur reagim, me gjithë gabimet e mëdha të shkaktuara.

Sido që të jetë.. Kërkoj nga të gjithë që mos të shkaktojnë përçarje dhe ofendime në emër tim. Lus Allahun që Ai të jetë i kënaqur me të gjithë neve.

Hoxhë Omer Bajrami 

Go to top