A lejohet hyrja në xhami për femrat me menstruacione?
Pyetje: Selam alejkum Hoxhe i nderuar. Deshta te pyes lidhur me gjendjen e femrave kur ato jane me cikel mujor. A lejohet me shku ne xhami ne xhuma psh. me ndegju hutben apo ka ndonje ligjerate tjeter, se eshte bere polemike e madhe ne mes xhematit, disa e lejojne e disa e ndalojne dhe nuk cekin argumente. Allahu te shperblefte.
Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Sa i përket hyrjes në xhami për gratë që janë me menstruacione, dijetarët kanë ndryshuar mendimet e tyre. Sipas mendimit të dijetarëve të katër medhhebeve, nuk lejohet që femra duke qenë në atë gjendje të hyjë dhe të prezentojë në xhami. Ndërsa sipas Ibn Hazmit dhe disa dijetarëve të tjerë, lejohet për femrën një gjë e tillë.
1-Dijetarët të cilët e ndalojnë këtë, bazohen në disa argumente. Prej tyre:
-Thotë Allahu (azzevexhel): “O ju që keni besuar, mos iu afroni namazit duke qenë të dehur, deri sa të dini se ç’flitni, e as duke qenë xhunubë (të papastër) derisa të pastroheni..” (Nisa’ – 43) E qëllimi i fjalës namaz në këtë ajet, nënkupton vendin ku falet namazi.
-Thotë Pejgamberi (salallahu alejhiveselem): “Unë nuk lejoj të hyjë në xhami ajo që është me hajd (menstruacione) dhe ai që është i papastër”. (Transmeton Ebu Davudi dhe Bejhekiu)
-Gjithashtu Umu Atijeh thotë se: “Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) urdhëroi që edhe gratë me hajd (menstruacione) të dalin në namazin e Bajramit, që të prezentojnë në hajr dhe në lutjet e muslimanëve, vetëmse të largohen nga vendfalja e namazit”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
2-Ndërsa dijetarët që e lejojnë këtë, i kundërshtojnë këto argumente duke thënë:
Ajeti në të cilin Allahu thotë: “mos iu afroni namazit”, e ka fjalën për vetë namazin dhe jo për vendin ku falet namazi, andaj nuk mund te merret si argument për të ndaluar hyrjen apo qëndrimin në xhami. Ndërsa hadithi i cili thotë se: “Unë nuk lejoj të hyjë në xhami ajo që është me hajd (menstruacione)..”, është hadith i dobët dhe nuk merret për argument.
Gjithashtu hadithi i Umu Atijes i cili thotë për gratë me hajd: “vetëmse të largohen nga vendfalja e namazit”, nënkupton largimin e tyre nga falja e namazit, e jo nga vendi i faljes së tij. Ngase dihet fare mirë se Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) dhe sahabet e kanë falur Bajramin në vend të hapur dhe jo në xhami dhe nëse gratë janë urdhëruar të largohen prej atij vendi, atëherë ku është dashur të shkojnë? Apo mund të ndalohet për to qëndrimi në një pjesë të tokës e cila nuk është xhami dhe të lejohet qëndrimi në një pjesë tjetër e cila gjithashtu nuk është xhami? Një gjë e tillë është e pakuptimtë.
Gjithashtu dijetarët e këtij mendimi bazohen në disa argumente. Prej tyre:
-Esenca e çështjes së prezentimit në xhami, e cila është e lejuar për të gjithë. Dhe përderisa në esencë lejohet një gjë e tillë, patjetër duhet të ketë argument të qartë dhe të vërtetë për ndalimin e kësaj. E që argumenti i tillë nuk ekziston.
-Transmeton Aishja (radijallahuanha) se: “Një grua e quajtur Velidete Seuda’ ishte nga një fis arab, të cilët e liruan atë, e ajo erdhi te Pejgamberi (salallahu alejhi veselem) dhe e pranoi Islamin. E pastaj, banonte në xhami”. (Transmeton Buhariu) E duke e ditur se gratë kanë kohën e caktuar të menstruacioneve, kjo grua nuk u urdhërua të del prej xhamie edhe gjatë asaj kohe. E që nënkupton se lejohet qëndrimi në xhami edhe duke qenë me hajd.
-Transmeton Ebu Hurejrah (radijallahu anhu) se: “Një grua banonte në xhami. Kur vdiq, Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) pyeti për të.. (deri në fund të hadithit)”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi) E kjo grua, përderisa ka banuar në xhami, padyshim që ka pasur kohë të menstruacioneve, e që Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) nuk e ka urdhëruar që gjatë kësaj kohe të del dhe të banojë diku tjetër jashtë xhamisë.
-Gjithashtu është vërtetuar se Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) kishte futur në xhami idhujtarë dhe i kishte lidhur ata. E si mund të lejohet që idhujtari të hyjë në xhami, duke qenë i papastër me papastërtinë e shirkut, e të ndalohet muslimani i cili ka papastërti trupore?!
Kështuqë, duke pasur parasyshë argumentet e të dy palëve të dijetarëve, përfundimisht themi se lejohet hyrja në xhami për atë që është me menstruacione dhe se argumentet për të ndaluar një gjë të tillë nuk janë të mjaftueshme. Ky është mendimi me të cilin e adhurojmë Allahun, duke mos pasur për qëllim shtuarjen e polemikës në mesin e vëllezërve dhe motrave. Dhe përderisa ka mospajtime në mesin e dijetarëve, nuk jemi ne ata që mund t’i sjellim ata në një mendim të njëjtë, apo të mohojmë ekzistimin e njërit mendim duke pranuar mendimin tjetër.
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami