A lejohet ta thërras vjehrrën time nënë?
Pyetje: Selam Alejkum hoxhe i nderuar. Nje pyetje hoxhe: A prish pune najsen ne Islam nese e thirri nanen e burrit tim edhe une nane? A kam te drejte me e thirre nane? Nese mundet me ma kthy pergjigjen inshallah. Allahu ju shperblefte me Xhenet Firdeus.
Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Nëse e thërret vjehrrën tënde nënë për shkak të rrespektit ndaj saj, nuk ka ndonjë të keqe në këtë (edhepse ka prej dijetarëve të cilët nuk e kanë pëlqyer një gjë të tillë).
Thirrja e saj nënë, është sikur thirrja e ndonjë fëmiu apo të riu: O biri im, me qëllim të afrimit dhe dhembshurisë dhe jo me qëllim të konsiderimit të tij fëmiu yt. Apo sikur përdorimi i thirrjes së më të vjetërve: O axhë, edhepse ai nuk është xhaxhai yt.
Kështuqë, përdorimi i kësaj shprehje për nderim dhe rrespekt është i lejuar dhe nuk ka ndonjë ndalesë në këtë.
Ndërsa thënia se unë jam biri apo bija e filanit, duke mos qenë i/e tij, ose thirrja e ndonjërit babë ose nënë, duke e llogaritur atë prind, e duke mos e pasur atë të tillë, është e ndaluar. Thotë Muhamedi (salallahu alejhiveselem) thotë: “Prej shpifjeve më të mëdha është të thirret dikush në emër të atij që nuk e ka babë..”. (Transmeton Buhariu) Dhe thotë: “Kush thirret në emër të atij që nuk e ka babë, duke e ditur se nuk e ka babë, Xheneti për të është haram – i ndaluar”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami