A lejohet kopjimi dhe vjedhja në provime?
Pyetje: Selamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu. Hoxhe i nderuar Allahu ju shperblefte per veprat e mira qe i beni. Deshta t’ju pyes se a lejohet per nje besimtar musliman kopjimi ne provime dhe nese nuk lejohet pse? Dhe a ka gjynah nese e bejme kete veper?
Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Secili musliman që vazhdon shkollimin e tij, duhet të vazhdojë atë për të mësuar dhe për të përfituar ndonjë gjë dhe jo për të bërë hile dhe mashtrime, në mënyrë që të arrijë në një diplomë dhe pastaj të manipulojë me të dhe të hyjë nëpër punë për të cilat nuk është kompetent dhe meritor.
Ndërsa provimet dhe testet janë një mënyrë me të cilën vërtetohet nëse studenti ka mësuar dhe është përpjekur, apo se nuk është munduar dhe nuk e ka lodhur veten fare. Dhe nëpërmjet kopjimit dhe vjedhjes në provim, nuk dallohet ai që ka mësuar dhe ai që nuk ka mësuar. Dhe në fund rezultati i të dobëtit mund të jetë mbi rezultatin e të mirit dhe nëpërmjet kësaj bëhen padrejtësi të ndryshme në mesin e njerëzve.
Andaj, themi se kopjimi në provime është gjë e ndaluar në Islam. Thotë Pejgamberi (salallahu alejhiveselem): “Kush bën mashtrime, nuk është prej nesh”. (Transmeton Muslimi)
E nuk ka dyshim se kopjimi në provime, është mashtrim i madh me të cilin njeriu arrin në një rezultat që nuk e meriton dhe i bën padrejtësi atij që ka mësuar dhe që e meriton. Dhe ky është një turp i cili i ka goditur disa prej studentëve muslimanë, të cilët i vizitojnë shkollat dhe fakultetet dhe nuk nxjerrin asgjë prej tyre. Dhe shkollimi i tyre mbetet vetëm një lloj shëtitje dhe eskurzioni, duke mbetur të painformuar, të paditur,dhe të arritur në një diplomë, e cila nuk luan asnjë rol në ndryshimin e mentalitetit dhe vetëdijes, në përmirësimin e gjendjes dhe në ngritjen e nivelit të arsimit për gjeneratat e reja.
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami