Si duhet të veprojë gjidhënësja gjatë muajit të agjërimit?
Pyetje: Selam alejkum hoxhe, nese gruaja e ka fmiun e vogel ne gji, a e ka farz agjerimin, a munet me e prishe ate, dhe a duhet me i agjeru ato dite mas ramazanit?? Allahu ju shperbleft.
Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
Së pari: Gruaja e cila e ka fëmiun e saj në gji dhe ka frikë për fëmiun e saj se nuk i mjafton qumshti për shkak të agjërimit, atëherë lejohet për të që mos të agjërojë, ndërsa nëse qumshti mjafton për fëmiun dhe nuk ka ndonjë dëm në fëmiun e vogël për shkak të agjërimit të saj, atëherë ajo duhet të agjërojë dhe nuk ka të drejtë ta prishë agjërimin.
Së dyti: Sa i përket kompenzimit të ditëve të cilat nuk i ka agjëruar gjidhënësja, dijetarët janë ndarë në mendime të ndryshme se si duhet t’i kompenzojë ato ditë.
Sipas Imam Malikut, Shafiut dhe Ahmedit, ajo duhet për çdo ditë të agjërojë nga një ditë dhe gjithashtu të paguaj nga një ushqim për një të varfër. Sipas Imam Euza’it, Theurit dhe Ebu Hanifes, mjafton për të që të agjërojë nga një ditë, për çdo ditë që e ka prishur atë dhe nuk ka nevojë të ushqejë të varfër, dhe këtë duke e krahasuar atë (gruan) me të sëmurin.
Sipas Imam Ibn Hazmit, ajo nuk ka nevojë as të agjërojë e as të ushqejë të varfërit për të kompenzuar ditët e prishura, ngase për obligueshmërinë e tyre nuk ekziston ndonjë argument.
Ndërsa sipas Abdullah ibn Abasit dhe Abdullah ibn Omerit, Is’hak ibn Rahavejt (dhe ky është mendimi edhe i Shejh Albanit), ajo duhet që për çdo ditë që nuk e ka agjëruar, të ushqejë nga një të varfër me një ushqim mesatar, duke mos i agjëruar ditët e prishura. Ky është mendimi më i saktë me të cilin e adhurojmë Allahun, ngase fjala e sahabëve ka përparësi para të tjerëve dhe gjithashtu nuk dihet se ndonjë nga sahabët tjerë e ka kundërshtuar këtë.
Thotë Abdullah ibn Abasi: Ajo e cila është shtatzënë dhe ajo e cila e ka fëmiun në gji, nëse kanë frikë (për veten apo fëmiun), (e prishin agjërimin) dhe ushqejnë për çdo ditë nga një të varfër.
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami