Dhjetë gabime në marrëdhëniet intime
Vëllezër të nderuar, nuk është turp që njeriu të mësojë fenë e tij dhe të jetë i kujdesshëm dhe i njohur me normat e kësaj feje. Por turp është që njeriu të qëndrojë në Islam me vite, dhe të jetë i panjohur edhe me gjërat e rëndësishme të kësaj feje, duke shkelur dhe nëpërkëmbur kufijtë të cilët Allahu i ka caktuar për të.
Megjithatë, duke pasur parasyshë se gabimet në mesin tonë janë të shumta, dhe shumë prej tyre duhet të përmirësohen, do të përmend disa prej gabimeve të cilat veprohen para, gjatë apo pas marrëdhënieve intime, duke shpresuar që këto gabime të përmirësohen dhe muslimanët të jenë të pastërt dhe larg prej tyre.
Dhjetë gabime në marrëdhëniet intime:
1-Marrëdhëniet intime duke mos pasur kurorë të Sheriatit Islam. Dhe ky mëkat quhet zina – prostitucion, për të cilin Allahu (azzevexhel) thotë: “Dhe mos iu afroni prostitucionit, sepse vërtetë ai është vepër e shëmtuar dhe një rrugë shumë e keqe”. (Isra’ – 32) Dhe thotë: “Edhe ata që pos Allahut nuk lusin ndonjë zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që e ka ndaluar Allahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsa kush i punon këto, ai do të gjen ndëshkim. Atij i dyfishohet dënimi ditën e kijametit dhe aty mbetet i përbuzur përgjithmonë”. (Furkan – 68/69)
2-Marrëdhëniet intime me gjininë e njëjtë. Pejgamberi (salallahualejhiveselem) thotë: “Kënd e gjeni duke e vepruar mëkatin e popullit të Lutit, mbytnie atë që e bën dhe atij që i bëhet ajo vepër”. (Transmeton Tirmidhiu dhe Shejh Albani hadithin e cilëson si të vërtetë)
3-Lënia e marrëdhënieve intime në tërësi me bashkëshorten, duke lënë anash nevojat dhe dëshirat e saj. Edhepse dijetarët kanë diskutuar se sa kohë ka të drejtë njeriu të mos ketë marrëdhënie intime me bashkëshorten e tij, duke përmendur katër ditë disa prej tyre, e katër muaj disa të tjerë, megjithatë lënia e tyre (marrëdhënieve) në tërësi është e ndaluar. Dhe këtë më së shumti e veprojnë tradhëtarët e grave të tyre, të cilët shfryjnë epshet në vende të ndaluara, dhe nuk kanë nevojë për bashkëshortet e tyre, porse ato janë vetëm si shërbetore të tyre, të cilat kanë oblgim përgatitjen e ushqimit, pastrimin e teshave dhe shtëpisë, dhe asgjë tjetër më shumë.
4-Kundërshtimi i bashkëshortes për marrëdhënie intime, kur atë e thërret bashkëshorti i saj, duke mos pasur ndonjë arsye serioze. Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Nëse njeriu e thërret bashkëshorten në shtratin e tij, dhe ajo nuk i vjen atij, e ai e kalon natën i hidhëruar ndaj saj, atë (bashkëshorte) e mallkojnë melaiket deri në mëngjes”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
5-Marrëdhëniet intime ndërmjet dy bashkëshortëve, duke mos bërë lutjen e caktuar para marrëdhënieve. Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Nëse dikush prej jush dëshiron që t’i afrohet bashkëshortes së tij (për marrëdhënie intime), dhe thotë: “Bismilah, Allahume xhennibnesh-shajtan, ve xhennibish-shejtane ma razektena” (Në emër të Allahut, O Zot, largoje prej nesh Shejtanin dhe prej atij (fëmiut) që do të na furnizosh), nëse është caktuar që prej tyre të ketë fëmijë, nuk e dëmton Shejtani atë (fëmiun) asnjëherë”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
6-Marrëdhëniet intime duke qenë bashkëshortja me hajd (menstruacione). Thotë Allahu (azzevexhel): “Të pyesin ty për hajdin (menstruacionet). Thuaj: Ajo është gjendje e neveritur, andaj largohuni prej grave gjatë hajdit dhe mos iu afroni atyre (për marrëdhënie) deri të pastrohen (nga hajdi). E kur të pastrohen (marrin gusël), atëherë afrohuni atyre ashtu siç u ka lejuar Allahu. Allahu i do ata që pendohen dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta dhe të neveritshme”. (El-Bekareh – 222)
7-Marrëdhëniet intime në vrimën anale. Thotë Pejgamberi (salallahualejhi veselem): “Kush i afrohet (për marrëdhënie) asaj që është me hajd, apo gruas në vrimën anale, apo falltorit, i ka bërë kufër asaj që i ka zbritur Muhamedit (salallahualejhiveselem)”. (Transmeton Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh, dhe Shejh Albani thotë se hadithi është i vërtetë – Sahihu tergib 2433) Dhe thotë (salallahualejhiveselem): “I mallkuar është ai që i afrohet (për marrëdhënie) bashkëshortes së tij në vrimën anale”. (Transmeton Ebu Davudi dhe Shejh Albani thotë se hadithi është i vërtetë – Sahihu tergib 2432)
8-Marrëdhëniet intime para fëmijëve që kuptojnë, apo pakujdesia në marrëdhënie intime kur fëmijët janë në gjum, në raste që ka mundësi të sheh fëmiu prindërit e tij në atë gjendje.
9-Marrëdhëniet intime me bashkëshorten në vende të hapura, duke mos qenë i kujdesshëm dhe duke menduar se vendi është i sigurtë.
10-Përshkrimi i marrëdhënieve intime ndaj të tjerëve. Disa prej burrave u tregojnë të tjerëve për marrëdhëniet që i veprojnë me gratë e tyre, dhe disa prej grave u tregojnë grave tjera për marrëdhëniet me burrat e tyre, ndërsa Pejgamberi (salallahualejhiveselem) thotë: “Vërtetë, prej njerëzve më të këqinj tek Allahu në Ditën e Gjykimit është burri i cili kryen marrëdhënie me bashkëshorten e tij, dhe gruaja e cila kryen marrëdhënie me të, dhe pastaj e zbulojnë atë (ndaj të tjerëve)”. (Transmeton Muslimi) Thotë Imam Neveviu: Nga ky hadith nënkuptohet se është e ndaluar që njeriu të tregojë atë që bëhet ndërmjet tij dhe bashkëshortes së tij.
Shkroi: Hoxhë Omer Bajrami
www.omerbajrami.com