A më pranohet hatmeja nëse bëj gabime gjatë leximit?

Pyetje: Selamun alejkum. Kam nje pytje, e kam ba nje hatme por vet sun e lexoj mire po baj nga pak gabime. A pranohet ajo hatme? Allahu ju shperbleft per pergjigjen.  

Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.  

Muslimani duhet të mundohet që të mësojë leximin e Kur’anit sa më mirë dhe ta lexojë atë sa më rrjedhshëm, në mënyrë që të fitojë shpërblimet dhe të arrijë meritat e lexuesve të Kur’anit në Ditën e Gjykimit.   Por nëse edhe pas mundit dhe përpkjes së dhënë prej tij për të mësuar leximin e Kur’anit, bën gabime dhe nuk mund ta lexojë atë aq rrjedhshëm, ai për këtë ka shpërblim tek Allahu dhe shpresë për pranimin e këtij adhurimi.  

Thotë Pejgamberi (salallahu alejhiveselem): “Ai i cili e lexon Kur’anin rrjedhshëm dhe me përpikëri, do të jetë me melaiket e ndershme (në Ditën e Gjykimit), ndërsa ai i cili e lexon atë më vështirësi, do të ketë shpërblimin e dyfishuar“. (Transmeton Muslimi)  

Kështuqë ai i lexon Kur’anin me vështirësi, ka dy shpërblime për këtë. Një shpërblim për leximin e tij dhe një shpërblim për vështirësinë që ndjen gjatë leximit të tij.   

Andaj, shpresojmë që leximi i juaj të jetë i pranuar tek Allahu (azzevexhel) dhe nëpërmjet tij të arrini dy shpërblime. Vetëmse duke mos lënë anash përpjekjet për të përvetësuar atë dhe për të përmirësuar gabimet që bëni gjatë leximit të tij.  

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami  

You may also like...