A duhet të ngriten duart gjatë tekbireve në namaz?
Pyetje: Selam alejkum. Ngritja e duarve ne namaz a behet vetem ne tekbirin fillestar apo edhe ne rastet e tjera (kur biem ne ruku, kur ngritemi nga rukuja dhe pas uljes se pare). Une kam lexu hadithe dhe argumente nga te dy palet. Pyetja ime eshte: Vertete ekzistojne hadithe nga te dy anet apo nje pare jane hadithe te forta dhe nje pare te dobta. Cila eshte e verteta per kete ceshtje? Allahu ju shperblefte.
Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Sa i përket ngritjes së duarve gjatë marrjes së tekbireve në namaz, dijetarët kanë diskutuar gjërësisht rreth kësaj çështje dhe kanë dhënë mendime të tyre. Megjithatë, shkurtimisht themi se mendimi më i saktë dhe më i vërtetë në lidhje me këtë, është se duart është sunet të ngriten në namaz në katër raste:
-Në tekbirin fillestar,
-Para rënies në ruku,
-Pas ngritjes nga rukuja, dhe
-Pas ngritjes nga teshehudi i parë.
Duke u bazuar në hadithin të cilin e transmeton Abdullah ibn Omeri i cili thotë se: “Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) i ngriste duart e tij deri në supe në fillim të namazit (në tekbirin fillestar), kur merrte tekbir për në ruku dhe kur thoshte: Semiallahu limen hamideh i ngriste duart e tij”. (Transmeton Buhariu 735 dhe Muslimi 390). E në një transmetim: “Dhe kur ngritej prej rekatit të dytë, i ngriste duart”. (Buhariu në Raf’ul jedejn 103)
Dhe argumente tjera të cilat e vërtetojnë një gjë të tillë.
Ndërsa mendimi i dijetarëve të cilët thonë se ngritja e duarve bëhet vetëm në fillim të namazit, është i bazuar në disa argumente të cilat nuk qëndrojnë për të mbështetur këtë mendim. Prej tyre:
Thotë Abdullah Ibn Mes’udi: A dëshironi që t’ua fali namazin e Pejgamberit (salallahualejhiveselem)? Pastaj, ua fali atë, dhe nuk i ngriti duart përveçse në herën e parë. (Transmeton Ebu Davudi, Nesaiu, Ahmedi, Tirmidhiu dhe të tjerë – Ndërsa Imam Ahmedi, Buhariu, Bejhekiu, Ebu Davudi, Darakutnij dhe të tjerë, thonë se ky transmetim është i dobët.)
Thotë Abdullah ibn Mes’udi: Jam falur pas Ebu Bekrit dhe Omerit dhe ata nuk i kanë ngritur duart përveçse në herën e parë. (Transmeton Darakutnij dhe Bejhekiu – Ndërsa dijetarët e hadithit këtë transmetim e kanë cilësuar si të dobët)
Apo hadithi në të cilin thuhet: “Kush i ngritë duart e tij në namaz, nuk ka namaz”. (Thotë Imam Ibn Xheuzij, ky transmetim është i shpifur)
Dhe argumente tjera të cilat nuk qëndrojnë për t’u mbështetur dhe për t’u argumentuar me to, për shkak të dobësisë së tyre.
Andaj mendimi më i saktë padyshim është ai që është i sigurtë dhe i vërtetë në librat e hadithit dhe në të cilin nuk ka dyshim se është fjalë dhe vepër e Pejgamberit (salallahu alejhiveselem).
Edhepse kjo çështje nuk duhet të jetë shkak për përçarje në mes muslimanëve, përderisa në mesin e dijetarëve ka mendime të ndryshme.
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami