A lejohet veshja e teshave të njeriut të vdekur?
Pyetje: Eselamu alejkum. A lejohet me i veshe teshat e nje te vdekuri, se mua me ka vdeke gruaja e axhes dhe deshta me te pyet a ben me i veshe teshat e saj? Me trego te lutem.
Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Nuk ka ndonjë ndalesë për veshjen e teshave që ka lënë i vdekuri. Lejohet që familja e tij t’i shfrytëzojnë gjërat që ka lënë ai, qoftë duke i përdorur ato në jetën e përditshme, qoftë duke i shitur ato, apo duke i dhënë sadaka për të varfërit dhe nevojtarët.
Thotë Shejh Ibn Uthejmini: Nëse njeriu vdes, të gjitha gjërat u takojnë atyre që e trashëgojnë atë.. Dhe nëse kalon pasuria e tij te ta, atëherë ata veprojnë me të ashtu siç veprojnë me pasurinë e tyre. Dhe nëse thonë (ata që e trashëgojnë atë) se teshat e tij ia lëmë njërit prej tyre dhe ata i veshin ato, lejohet dhe nuk ka ndonjë të keqe. E nëse pajtohen që të gjitha ato t’i japin sadaka, nuk ka ndonjë ndalesë. Dhe nëse pajtohen që t’i shesin ato, gjithashtu nuk ka ndonjë ndalesë. (Fetava Nurun Ala Derb)
Ndërsa hudhja e tyre apo mbajtja e tyre për kujtim nuk lejohet, ngase kjo llogaritet mosshfrytëzim dhe harxhim i tepruar e i panevojshëm.
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami