Ku dhe si vëndohen duart në namaz dhe kur bëhet dhikri?

Pyetje: Selam alejkum hoxhe i nderuar. Si duhet te mbahen duart pas tekbirit fillestar dmth pasi te lidhemi ne namaz, dhe tespiht a behen pas farzit apo ne fund te namazit. Allahu ju shperblefte per punen qe e beni.  

Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.  

Së pari: Duart në namaz lidhen duke kapur me dorën e djathtë të majtën dhe duke i vendosur ato në gjoks.   

Thotë Vail ibn Huxhr: Jam falur me Pejgamberin (salallahu alejhiveselem) dhe ai e vëndoi dorën e djathtë mbi dorën e majtë, në gjoksin e tij. (Transmeton Ibn Huzejmeh dhe Shejh Albani thotë se hadithi është i vërtetë – El-Irva’ 352)   

Së dyti: Dhikri (tespitë) bëhet pasi të falet farzi. Kështu i kanë kuptuar hadithet të cilat flasin për dhikrin pas namazit shumica e dijetarëve, duke i bashkuar hadithet që flasin për këtë dhe hadithin të cilin e transmeton Muslimi, i cili thotë: “Pas çdo namazi farz, thuhet: Tridhjetë e tri herë subhanallah, tridhjetë e tri herë elhamdulilah dhe tridhjetë e katër herë Allahuekber“. (Transmeton Muslimi 596)  

Ndërsa disa prej dijetarëve, janë të mendimit se dhikri bëhet pasi të përfudojë namazi në tërësi.  

Thotë Shejh Albani (rahimehullah): Kush thotë prej medhhebeve se dhikri bëhet pas sunetit (të fundit), ai për këtë nuk ka ndonjë argument dhe me këtë e kundërshton hadithin (e lartpërmendur) dhe hadithet e ngjashme me të, të cilët janë argumente të qarta për këtë çështje. (Silsiletu Sihiha 102)  

Edhepse nëse njeriu e vonon dhikrin deri në fund të gjithë namazit (dmth. pas sunetit), ai megjithatë ka shpërblim për dhikrin që e bën, vetëmse nuk e ka atë të plotë dhe në vendin e tij.  

Thotë Ibn Haxher El-Hejtemij: Nuk e humbë shpërblimin e dhikrit, ai që e falë sunetin (para se të bëjë dhikrin pas farzit), por e humbë shpërblimin e plotë të tij. (Tuhfetul Muhtaxh 2/105)  

Allahu e di më së miri.

Hoxhë Omer Bajrami

You may also like...