A vlen një kurban për një person apo për një familje?
Pyetje: Selam alejkum hoxhe i nderuar. Si qendron puna me kurbanat (dele, dash), nje kurban a vlen per nje person apo per nje familje? Dhe per te vdekurit kur duhet te pritet kurbani diten e bajramit apo me para? Zoti ju shperblefte me Xhenetin Firdeus.
Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij, mbi shokët e tij, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Së pari: Në kurbanin e madh (deve apo lopë), mund të marrin pjesë shtatë persona. Thotë Xhabiri (radijallahuanhu): “Kemi therrur me Pejgamberin (salallahu alejhiveselem) në vitin e Hudejbijes një deve nga shtatë vetë dhe një lopë nga shtatë“. (Transmeton Muslimi)
Së dyti: Në kurbanin e vogël (dele), në:
-Pagesë, nuk mund të marrin pjesë më shumë se një person. Kështuqë nuk mund t’i tubojnë të hollat disa persona, që të therrin një dele për kurban. Por pagesën duhet ta bëjë vetëm një person.
-Shpërblim, mund të merr pjesë e gjithë familja e atij që therr kurban, sado e madhe që të jetë ajo. Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) në therrjen e një kurbani (dele) tha: “Bismilah, o Zot pranoje këtë prej Muhamedit, familjes së Muhamedit dhe umetit të Muhamedit (salallahu alejhiveselem)“. (Transmeton Muslimi)
Kështuqë lejohet në shpërblim të marrin pjesë edhe të tjerët, duke bërë nijet therrësi i kurbanit edhe për ta. Thotë Ebu Ejub El-Ensarij (radijallahuanhu): “Në kohën e Pejgamberit (salallahu alejhiveselem) therrte njeriu një dele, për të dhe për familjen e tij“. (Transmeton Maliku, Ibn Maxheh dhe Tirmidhiu, dhe thotë se hadithi është i vërtetë)
Së treti: Therrja e kurbanit për të vdekurit nuk është prej sunetit dhe një gjë të tillë nuk e ka vepruar Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) dhe sahabet.
Por, disa prej dijetarëve duke e llogaritur atë lëmoshë për të varfërit dhe duke e ditur se shpërblimi i lëmoshës u arrinë të vdekurve, e kanë lejuar therrjen e kurbanit për të vdekurit dhe shpërndarjen e mishit të tij të varfërve, me qëllim që shpërblimi t’i arrijë të vdekurit.
Kështuqë, therrja e kurbanit për të gjallët është më e mirë dhe më me vlerë, por nëse therret kurban për dikë prej të vdekurve, atëherë ajo mund të bëhet para apo pas Bajramit, duke mos caktuar dhe dalluar ndonjë ditë për të. (Thënia – kurban për të vdekurit, nuk nënkupton që therrja e kurbanit të bëhet për të vdekurin, ngase kurbani therret vetëm për Allahun dhe për askënd tjetër, porse shpërblimi i shpërndarjes së mishit të tij t’i arrijë të vdekurit).
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami