Pro apo kundër Mevludit?!
Çështja e Mevludit sikur dhe shumë çështje tjera, janë të diskutuara në mesin e muslimanëve. E keqja nuk është tek diskutimi i kësaj si temë, por te urrejtja dhe armiqësia e cila krijohet nga diskutimet dhe debatet e tilla.
Pas gjithë kësaj kohe që dijetarët dhe hoxhallarët kanë folur gjërë edhe gjatë, pa marrë parasyshë duke e përkrahur apo kundërshtuar Mevludin, duhet të mundohemi që me pjekuri dhe maturi të madhe t’i tejkalojmë gjërat, qoftë edhe me mendimet ndryshe.
Mendimet ndryshe në mesin e muslimanëve dhe urrejtja e armiqësia në mes tyre, ka një dallim të madh. Urrejtja dhe armiqësia nuk i shërben Islamit e as muslimanëve asgjë. Ndërsa mendimet e ndryshme kanë qenë dhe do të vazhdojnë në mesin e njerëzve deri në Kijamet.
Andaj, mbjellja e urrejtjes në çdo kohë që trajtohet një temë, duke e përsëritur atë në mënyrë të njëjtë dhe duke ngjallur reagime të ashpra, nuk tregon pjekurinë e duhur dhe shikimin e gjërave më larg se aty ku jemi!
Allahu na dhashtë urtësi dhe butësi ndërmjet vete. Allahu i bashkoftë zemrat e besimtarëve dhe shtoftë dashuri të sinqertë ndërmjet tyre. Amin
Hoxhë Omer Bajrami