A kam mëkat nëse e fyej Zotin (me mend) pa dëshirën time?
Pyetje: Selam Alejkum. Besoj se do marr pergjigje e cila do me ndihmoj te kuptoj qe eshte apo nuk eshte mekat…! Jam nje vajze e cila me mundon nje lloj vesi…qe nga femirija, falesha,beja namaz..por mu fiksu vesi (fyej shaj Zotin me mendje), dhe shpesh here kam qen ne depresion per kete gje! Edhe sot ne moshen 25 vjeqe, fyerja nuk me largohet dhe ndihem shum keq!! Nuk e fyej Zotin me zemer, as nuk e shqiptoj me goj, vetem me mendje.. dhe dua te di a kam mekat! Allahu ju shperblefte.
Përgjigje:
Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Vesveset janë problem dhe sëmundje që shumë njerëz vuajnë prej tyre. E nëpërmjet tyre djalli i mallkuar mundohet të arrijë qëllimet e tij në robërit e Allahut (azzevexhel). Njerëzit janë sprovuar me këtë sëmundje në mënyra të ndryshme, saqë shejtani mundohet të futë dyshime në kokat dhe shpirtërat e tyre edhe në besimin e pastër të tyre ndaj Allahut.
Por Allahu (azzevexhel) me mëshirën e Tij, ka bërë që njeriu mos të ketë përgjegjësi dhe mos të fajësohet për atë që nuk është në dorën e tij dhe për atë që nuk e bën me dëshirën e tij. Thotë Pejgamberi (salallahu alejhi veselem): “Vërtetë Allahu e ka falur për umetin tim atë që bëhet gabimisht (pa qëllim), atë që bëhet me harresë dhe atë që bëhet me imponim”. (Transmeton Ibn Maxheh dhe Shejh Albani hadithin e cilëson si të vërtetë).
Gjithashtu thotë Pejgamberi (salallahu alejhiveselem): “Vërtetë Allahu e ka falur për umetin tim, atë që pëshpëritë ai në veten e tij, përderisa nuk flet apo nuk vepron me të”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Kështuqë Allahu (azzevexhel) nuk e ngarkon robin e Tij përtej mundësisë së Tij. Thotë Ai: “Allahu nuk e obligon asnjë njeri më shumë se sa ka mundësi. Atij (njeriut) i takon ajo që fitoi dhe atij i bie ajo (e keqe) që e meritoi”. (Bekareh – 286)
Ibn Kethiri (rahimehullah) në lidhje me ajetin: “E për atë që e keni në shpirtin tuaj, e shfaqët haptazi apo e mbajtët fshehtë, Allahu do t’ju marrë në përgjegjësi”. (Bekareh – 284) thotë: Allahu edhe nëse i merr në përgjegjësi dhe i pyet ata, Ai nuk i dënon përveçse për atë që kanë pasur mundësi ta largojnë. Ndërsa për atë që nuk kanë pasur mundësi ta largojnë, prej vesveseve të nefsit dhe pëshpëritjeve të tij, për këtë nuk ngarkohet njeriu dhe urrejtja e vesveseve të këqia është prej imanit. (Tefsir Ibn Kethir 1/343)
Andaj shpresojmë që nuk keni mëkat për atë që sjellet në kokën tuaj, përderisa ajo është pa dëshirën tuaj dhe ju e urreni atë. Ndërsa për largimin vesveseve:
Thotë Ibn Haxher El-Hejtemij: Shërimi i dobishëm i vesveseve është refuzimi dhe kthyerja e shpinës ndaj tyre në formë të përgjithshme. Dhe nëse ka njeriu në shpirt ndonjë mendim, përderisa ai nuk i kushton rëndësi atij, ai largohet prej tij dhe nuk qëndron përveçse një kohë të shkurtër. (Fetava 1/149)
Thotë Imam Izz Ibn AbduSelami: Shërimi i vesveses është të bindet njeriu se ajo është prej shejtanit dhe Iblisi është ai që ia sjell atë dhe ai të mundohet ta kundërshtojë dhe ta luftojë atë, e nëpërmjet kësaj e fiton shpërblimin e muxhahidit, ngase ai është duke e luftuar armikun e Allahut, e ai (shejtani) kur ta sheh këtë largohet prej tij.
Gjithashtu në lidhje me këtë çështje, lexoni dhe përgjigjen e pyetjes: Si t’i largoj vesveset dhe mendimet e këqia? Përfundimisht, lusim Allahun (azzevexhel) që ta largojë këtë brengë prej jush dhe të ju shpërblejë për durimin dhe kundërshtimin e saj.
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami