A është ky argument për lejimin e përzierjes së burrave dhe grave?

Pyetje: A eshte i vertete hadithi ku Ajshja transmeton qe i ka sherbyer Pejgamberit alejhiselam ushqim duke qene ai me disa shoke te tij dhe eshte ulur Ajshja ka ngrene bashk me ta? Me kete hadith argumentohen disa njerez se lejohet perzierja e dy gjinive. Si e komentoni ju kete?  

Përgjigje: Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.  

Nuk ka ndonjë transmetim të vërtetë se Aishja (radijallahuanha) ju ka shërbyer shokëve të Pejgamberit (salallahu alejhiveselem) apo se është ulur për të ngrënë së bashku me ta. Por, ka disa transmetime tjera (për ndonjë prej grave të sahabëve) të cilat mund të keqkuptohen nga lexuesi, duke menduar se në to ka argument për lejimin e përzierjes së burrave dhe grave.    Sikur hadithi i Umu Usejd Es-Saidijut e cila i shërbeu Pejgamberit (salallahu alejhiveselem) dhe sahabëve, apo hadithi i sahabiut i cili e nderoi mysafirin e Pejgamberit (salallahu alejhiveselem) duke e shuar llambën bashkë me bashkëshorten e tij dhe duke u paraqitur kinse janë duke ngrënë bashkë me mysafirin, apo hadithe tjera të ngjashme me këto.  

Në komentin e këtyre haditheve, dijetarët kanë dhënë mendimet e tyre:  
-Disa prej tyre kanë thënë se këto argumente flasin për kohën para obligimit të hixhabit.    Thotë Imam Neveviu: Ky hadith bartet në kohën para obligimit të hixhabit. (Sherh Muslim 13/177). Thotë Imam El-Ajnij: E kjo ka qenë para zbitjes së ajetit të hixhabit. (Tefsir Kurtubij 9/68)  
-E disa të tjerë kanë thënë se një gjë e tillë është e lejuar, nëse gruaja është e mbuluar me mbulesën e plotë islame, nëse me të është edhe mahremi i saj (i afërmi me të cilin i ndalohet martesa) dhe nëse është në kohën kur njeriu është i garantuar prej fitneve. Thotë Imam Ibn Haxheri: E në hadith tregohet se lejohet gruaja t’i shërbejë burrit të saj dhe mysafirëve të tij, vetëmse në kohën kur njeriu është i sigurtë prej fitneve dhe kur zbatohet obligimi i mbulimit të saj. (Fet’hul Bari 9/251)  

E që kushtet e lartpërmendura nuk ekzistojnë në kohën të cilën e jetojmë, e cila pa dyshim është kohë e fitneve. Edhepse ka prej njerëzve për të cilët Allahu (azzevexhel) thotë: “E ata që në zemrat e tyre kanë anim kah e shtrembëta, ata gjurmojnë atë që nuk është krejt e qartë për të shkaktuar huti, e kinse e kërkojnë komentin e tyre”. (Ali Imran – 7)  

Ndërsa argumentet që flasin për ndalimin e përzierjes së burrave dhe grave janë të shumta. Prej tyre:   

Thotë Allahu (azzevexhel): “E kur kërkoni prej tyre (grave të Pejgamberit) ndonjë gjë, kërkonie atë pas perdes. Kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe të tyre”. (Ahzab – 53) Ky ajet ndalon përzierjen e grave të Pejgamberit (salallahualejhiveselem) me sahabët e tij të ndershëm, e nuk mbetet fjalë për neve të cilët jemi shumë të dobët dhe shumë larg tyre në çdo aspekt.  

Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Kini kujdes, ruajuni nga përzierja me gratë. Tha një prej ensarëve: O i Dërguar i Allahut, a e ke parë kunatin (të afërmin e burrit)? Tha Pejgamberi (salallahualejhiveselem): Ai është vdekje”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)   Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Kini frikë dhe ruajuni nga fitneja e grave, sepse fitneja e parë e Beni Israilëve kanë qenë gratë”. (Transmeton Muslimi)  

Gjithashtu Islami edhe në momentin kur njeriu qëndron në namaz para Allahut (azzevexhel) nuk lejoi që burrat të përzihen me gratë, por urdhëroi që burrat të qëndrojnë në safat e parë, ndërsa gratë në safat e fundit. Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Safi më i mirë i burrave është safi i parë dhe më i keqi është safi i fundit, ndërsa safi më i mirë i grave është safi i fundit dhe më i keqi është safi i parë”. (Transmeton Muslimi)  

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami

You may also like...