A lejohet adoptimi i fëmijëve në Islam?

Pyetje: Selamun Alejkum! Jam një gru, jam e martuar dhe kam tre fëmijë me të cilët jetoj bashkë, mirëpo e kam edhe një fëmijë tjetër të cilin ia kam dhuruar tezes së burrit, që nga momenti kur e kam lindur. Si është gjendja ime, çka duhet të veproj? Ju lutem një sqarim dhe të më këshilloni.  

Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen dhe mbi shokët e tij.  

Motër e nderuar, fëmiu në Islam është një dhuratë prej Allahut (azzevexhel) që Ai ia jep atij që do. Thotë Allahu (azzevexhel): “Ai i falë vetëm vajza atij që do, e i falë vetëm djem atij që do, ose u falë çift djem dhe vajza, e atë që do e lë pa fëmijë. Ai është i Dijshëm, i Fuqishëm”. (Shura 49/50)  

Kështuqë Allahu atij që do i jep më shumë fëmijë, e atij që do nuk i jep fare, dhe e gjithë kjo varet nga dëshira dhe urtësia e Tij. E muslimani duhet të jetë i kënaqur me atë që ka caktuar Allahu për të, qoftë ajo furnizimi me fëmijë në kohën që ai nuk dëshiron, apo qoftë gjinia e fëmisë në atë që ai nuk lakmon, apo qoftë edhe mosdhënia fëmijë fare.  

Ndërsa dhënia e fëmiut dikujt tjetër që nuk ka fëmijë, ka qenë e lejuar në kohën e injorancës dhe në fillim të Islamit, sikur që ka ndodhur me Zejdin (radijallahuanhu) të cilin e thirrnin sahabet Zejdi i biri i Muhamedit, por pastaj Allahu e ndaloi një gjë të tillë, duke thënë: “Ai nuk ua bëri djem tuaj të adoptuarit tuaj (fëmijët e tjetërkujt që i adoptoni ju). Këto janë vetëm thënie që i shqiptoni ju me gojët tuaja, e Allahu e thotë atë që është realitet, dhe Ai udhëzon në rrugën e drejtë. Ju thirrni ata në baballarët e vërtetë të tyre, kjo është më e drejtë tek Allahu.” (Ahzab 4/5) Dhe me këtë ajet u ndalua adoptimi në Islam.   

Gjithashtu Muhamedi (salallahualejhiveselem) thotë: “Prej shpifjeve më të mëdha është të thirret dikush në emër të atij që nuk e ka babë..”.  (Transmeton Buhariu)  

Dhe thotë: “Kush thirret në emër të atij që nuk e ka babë, duke e ditur se nuk e ka babë, Xheneti për të është haram – i ndaluar”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)  

Kështuqë nënkuptohet se Islami e ndalon adoptimin e fëmijëve, ngase në të ka dëme të shumta, sikur për prindërit, ashtu edhe për vet fëmiun. Në të ka:  Përzierje të familjeve dhe të gjakut, gënjeshtra (thënia se është fëmijë i atij që nuk është, apo thënia se është babë i atij që nuk është), ndalesa (sikur qëndrimi vetëm me atë grua të cilën e quan nënë, e që nuk e ka të tillë, apo ndoshta ajo është prej atyre grave që e ka të ndaluar vetminë, të folurit për dore, apo shikimin e saj të pambuluar..), padrejtësi (sikur largimi dhe ftohja e fëmiut nga prindërit e tij të vërtetë, apo pengimi nga trashigimia e familjes së tij, apo marrja e trashigimisë që nuk i takon), etj.  

Andaj, ju si nënë e atij fëmiu, duhet të keni parasyshë se një gjë e tillë është e ndaluar në Islam dhe është prej mëkateve të mëdha, andaj edhe duhet që ta ktheni fëmiun tuaj dhe të dijnë të gjithë se ai është fëmijë i juaji, si dhe t’i tregohet fëmiut se kënd e ka prind të vërtetë, e pastaj nuk asnjë ndalesë që ai t’i vizitojë ata shpesh dhe t’u ndihmojë atyre në atë që kanë nevojë, bile kjo është mirësi për të cilën edhe shpërblehet.  

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami  

You may also like...