A lejohet ngjyrosja e flokëve me ngjyrë të zezë?

Pyetje: Esselamu Alejkum hoxh i nderuar. Kam degjuar se ngjyrosja e flokeve me ngjyr te zeze eshte haram per motrat muslimane, e deshta te mar edhe mendimin tuaj rreth kesaj qeshtje, dhe po ashtu ka disa ngjyra qe jane te zeza po kane nje reflektim tjeter, si ne te kalter, te gjelber, etj. Allahu ju shperbleft per punen tuaj.  

Përgjigje: Alejkumelam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.  

Sa i përket ngjyrosjes së flokëve me ngjyrë të zezë, dijetarët janë ndarë në tri mendime:  

1-Disa prej dijetarëve janë të mendimit se ngjyrosja e flokëve me ngjyrë të zezë është haram, duke u bazuar në këto argumente:  
-Thotë Xhabiri (radijallahuanhu): Erdhi Ebu Kuhafeja (babai Ebu Bekrit) ditën e çlirimit të Mekës, ndërsa flokët dhe mjekrra e tij ishin të zbardhura. E Pejgamberi (salallahualejhiveselem) tha: “Ndryshonia këtë (të thinjurën) me ndonjë ngjyrë, e largohuni ngjyrës së zezë”. (Transmeton Muslimi)  
-Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Do të ketë në fund të kohës njerëz që do t’i ngjyrosin flokët e tyre me të zezë, nuk do ta nuhasin erën e Xhenetit”. (Transmeton Ebu Davudi me zinxhirë të vërtetë)  

2-E disa dijetarë të tjerë janë të mendimit se ngjyrosja e flokëve me të zezë është mekruh (e papëlqyer) dhe se argumentet e lartpërmendura nuk ndalojnë në formë të prerë një veprim të tillë.  
Ky është mendimi i Muxhahidit, Seid Ibn Xhubejrit, Mekhulit, Imam Malikut dhe të tjerëve.  

3-Ndërsa mendimi i tretë i dijetarëve është se ngjyrosja e flokëve me të zezë është i lejuar, duke thënë:  
-Argumenti i parë është argument i veçantë i cili flet për Ebu Kuhafen dhe për ata që janë në gjendjen e tij. Për ata që janë të shtyrë në moshë dhe që ngjyrosja e tyre me të zezë paraqet një pamje qesharake dhe joserioze për ta.   
-Ndërsa argumenti i dytë tregon për disa njerëz që do të jenë në fund të këtij umeti, të cilët do të kenë bindje dhe do të veprojnë vepra për shkak të të cilave nuk do të nuhasin as erën e Xhenetit. E prej cilësive të tyre është ngjyrosja e flokëve me të zezë, e jo që ngjyrosja e tyre është haram. Sikur që shenjë e havarixhëve është rruajtja e flokëve, edhepse rruajtja e tyre nuk është haram.  

Gjithashtu ajo që e përforcon më së shumti këtë mendim, është ngjyrosja e flokëve me të zezë nga disa prej sahabeve dhe tabiinëve. Si:
Ukbeh ibn Amir (Transmeton Ibn Ebi Shejbeh – Musanef 8/250 me zinxhirë të vërtetë) Hasen ibn Alij (Transmeton Taberaniu – Mu’xhemul Kebir 2535 me zinxhirë të mirë) Husejn ibn Alij (Transmeton Buhariu – Thotë Enesi: Më së shumti i ka përngjarë Husejni Pejgamberit (salallahualejhiveselem) dhe i ngjyroste flokët me Vesmeh – ngjyrë që anon kah e zeza)
Hasan Basriu – E shihte që nuk ka ndonjë të keqe për ngjyrosjen e flokëve me të zezë (Transmeton Taberiu me zinxhirë të vërtetë) Urveh ibn Zubejr – i ngjyroste flokët me vesmeh (Transmeton Taberiu me zinxhirë të mirë)
Imam Zuhriu – i ngjyroste flokët me të zezë (Ibn Ebi Shejbeh – Musanef 8/251 me zinxhirë të vërtetë.  

Thotë Shejh Mustafa El-Adevij (kur flet për femrat): Lejohet që femra të ngjyrosë flokët e saj me të zezë, sepse hadithi i cili flet për ndalimin e kësaj është për meshkujt. E sa ndalesa ka për meshkujt ne aspektin e zbukurimit, e që nuk ndalohen me të femrat, si ndalimi i veshjes së mëndafshit, bartjes së arit, bartjes së unazës në gishtin e mesëm dhe atij tregues, e të tjera. Kështuqë mendoj se lejohet ngjyrosja e flokëve me të zezë për femrën, nëse me këtë ngjyrosje nuk synohet ndonjë mashtrim për atë që kërkon fejesën e saj… (Fetava – 1/322)  

Kështuqë përfundimisht anojmë kah mendimi i fundit dhe themi se lejohet ngjyrosja e flokëve me ngjyrë të zezë për meshkujt, edhepse largimi nga ajo është më e mirë. Ndërsa për femrat lejohet ngjyrosja, duke mos pasur ndonjë pengesë në të.  

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami

You may also like...