Ku është vendi i një të riut i cili e mbytë veten e tij?

Pyetje: Nese nje i ri 16 vjecar e mbyt vehten per arsye qe nuk dihen, qe len nje brenge te madhe ne zemren e te gjitheve, a shkon ai “mardar“ ose a shkon ai pa dhene llogari drejte ne xhehenem, apo ky gabim i falet. Duhet te them se per fat te keq ai nuk kryente asnje rit islam, d.m.th. nuk falej, nuk agjeronte, etj etj. Ju faleminderit shume dhe Allahu jua shperblefte per lete ndihme te madhe qe na jepni…  

Përgjigje: Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.  

Nuk  ka dyshim se mbytja e vetëvetes është prej mëkateve më të mëdha në Islam. Allahu (azzevexhel) duke ndaluar këtë dukuri dhe vepër të shëmtuar thotë: “Dhe mos e mbytni veten tuaj, vërtetë Allahu është i Mëshirshëm për ju”. (Nisa’ – 29)   

Dhe thotë: “Kush e mbytë një besimtar me qëllim, dënimi i tij është Xhehenemi, në të cilin do të jetë përgjithmonë. Allahu është i hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur dënim të madh”. (Nisa’ – 93)  

Dhe Pejgamberi (salallahualejhiveselem) thotë: “Mëkatet më të mëdha janë: Shirku në Allahun, mbytja e vetëvetes, mosrrespektimi i prindërve dhe fjala e rrejshme, apo dëshmia e rrejshme”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)  

Gjithashtu Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) thotë: “Largohuni prej shtatë mëkateve shkatërruese..”, prej tyre: “Dhe nga mbytja e vetëvetes”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)  

Dhe shumë argumente tjera të cilat ndalojnë këtë dukuri negative dhe që tregojnë rrezikun e këtij mëkati. E njeriu nuk e mbytë veten e tij, përveçse kur nuk ka bindje të plotë në Allahun dhe në caktimin e Tij.   

Megjithatë dijetarët e Ehli Sunetit, për dallim nga grupet e devijuara si Havarixhët dhe Mu’tezilet, njeriun që e mbytë veten e tij nuk e kanë nxjerrur prej Islamit, porse e kanë llogaritur prej mëkatarëve të mëdhenj të cilët mbeten nën dëshirën e Allahut. Nëse don Ai i falë, e nëse don i dënon.  

Në lidhje me këtë çështje dhe argumentet rreth saj, ju këshillojmë të dëgjoni ligjeratën: “Mëkatet e mëdha dhe vepruesi i tyre“.  

Nëdrsa sa i përket mosveprimit të asnjë prej adhurimeve kryesore të Islamit, themi se personi i cili është në këtë kategori nuk llogaritet musliman dhe dëshmia e tij nuk mjafton për të si arsye para Allahut në Ditën e Gjykimit.   Në lidhje me këtë ju këshillojmë të dëgjoni ligjeratën: “Imani është fjalë dhe vepër“.  

Kështuqë përfundimisht themi se:

-Mbytja e vetëvetes është prej mëkateve më të mëdha në Islam, porse nuk e nxjerr njeriun prej Islami, nëse ai nuk e lejon këtë mëkat, dhe -Njeriu i cili nuk praktikon asgjë prej Islamit, ai nuk llogaritet musliman edhe nëse e shpreh shehadetin me gjuhën e tij.  

Ndërsa për familjarët të cilët goditen me sprova të tilla, lusim Allahun (azzevexhel) që t‘ua lehtësojë gjendjen e tyre dhe t’ua shtojë durimin atyre, duke i përforcuar ata në fenë e Tij të pastër dhe duke i ngritur shkallët e tyre në Xhenet. Amin  

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami

You may also like...