Pirja e duhanit a është haram apo mekruh?

Pyetje: Selam Alejkum. Hoxhe i nderuar cigarja ne Islam a eshte Haram apo Mekruh? Allahu ju shperblefte.  

Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.  

Duhani është haram

– i ndaluar në Islam për disa shkaqe:  

-Pirja e duhanit shkakton dëme të mëdha në shëndetin e njeriut, saqë shumë njerëz kanë vdekur dhe  vdesin shkaku i tij. Bile në disa statistika është cekur se deri në katër milion njerëz vdesin për çdo vit nga dëmi i duhanit. Ndërsa Allahu (azzevexhel) thotë: “Dhe mos e mbytni veten tuaj, vërtetë Allahu është i Mëshirshëm për ju”. (Nisa’ – 29) Dhe thotë: “Dhe mos e hidhni veten me duart e juaja në shkatërrim”. (Bekareh – 195)  

-Duhani është i fëlliqur dhe i papastër, ndërsa Allahu (azzevexhel) thotë: “Të pyesin ty (Muhamed) çka u është lejuar atyre? Thuaj: U janë lejuar të gjitha ushqimet e pastërta” . (Maideh – 4) Dhe thotë: “(Ai) U lejon ushqimet e pastërta dhe u ndalon ato të fëlliqurat”. (A’raf – 157)  

-Pirësi i duhanit pengon të tjerët, qoftë në shëndetin e tyre, apo qoftë me erën e ndotur në takimet e tyre. Ndërsa muslimani është i ndaluar që t’i pengojë muslimanët tjerë me çfarëdo lloj pengese. Bile me erën e duhanit, përveç njerëzve pengohen edhe melaiket. Thotë Pejgamberi (salallahu alejhi veselem): “Vërtetë melaiket pengohen prej asaj që pengohen njerëzit”. (Transmeton Muslimi)  

-Pirja e duhanit shkakton harxhime të panevojshme dhe të tepruara, ndërsa Allahu (azzevexhel) thotë: “Ata që shpenzojnë tepër janë vëllezër të shejtanëve, e shejtani është përbuzës i madh i Zotit të Tij”. (Isra’ – 27)  

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami  

You may also like...