A lejohet vëndimi i dhëmbëve të arit për femrat?
Pyetje: Esselamu Alejkum. A lejohet heqja e vetullave per femrat dhe venja e dhamve te arit? Faleminderit.
Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Sa i përket heqjes së vetullave, lexoni: A lejohet heqja e vetullave nëse ato janë shumë të trasha?
Ndërsa vëndimi i dhëmbëve të arit është i ndaluar për meshkujt dhe i lejuar për femrat.
Thotë Shejh Ibn Uthejmini: Vëndimi i dhëmbëve të arit nuk lejohet për meshkujt, përveç në ndonjë rast urgjent dhe të imponuar, ngase mashkulli e ka të ndaluar bartjen e arit dhe zbukurimin me të. Ndërsa për femrat nëse është traditë që të bartin dhëmbë të arit, nuk ka ndonjë ndalesë për këtë dhe ajo ka të drejtë të vëndojë dhëmbë të arit, nëse është traditë që ajo të zbukurohet me të dhe nëse nuk llogaritet harxhim i tepruar, duke u bazuar në fjalën e Pejgamberit (salallahu alejhiveselem) i cili thotë: “Është lejuar ari dhe mëndafshi për femrat e umetit tim“. (Fetava Ibn Uthejmin 18/108)
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami