Si të veprojë një grua të cilën e tradhëton burri i saj?

Pyetje: Selam alejkum. Pyetja ime eshte se si duhet vepruar ajo grua te cilen e tradhton burri.. dmth ka lidhje jashtmartesore me tjeter grua.. a eshte ky shkak i mjaftueshem per me u shkurorzu?  

Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.  

Nuk lejohet që gruaja të kërkojë shkurorëzim prej burrit të saj pa ndonjë arsye serioze. Thotë Pejgamberi (salallahu alejhiveselem): “Çdo femër e cila kërkon shkurorëzim prej burrit të saj pa ndonjë të keqe prej tij, bëhet haram për të era e Xhenetit”. (Transmeton Tirmidhiu dhe Shejh Albani hadithin e cilëson si të vëretetë)  

Nga ky hadith nënkuptohet se kërkimi i shkurorëzimit pa ndonjë arsye serioze është i ndaluar, bile disa nga dijetarët e kanë llogaritur atë prej mëkateve të mëdha. Ndërsa e kundërta e hadithit nënkupton se lejohet kërkimi i shkurorëzimit në rast kur femra ka arsye për kërkimin e tij, sikur që është mosfalja e namazit nga burri i saj, apo padrejtësia dhe zullumi i tij, apo tradhëtia e sigurtë e tij, etj.  

Edhepse më mirë është gruaja të mundohet që ta këshillojë burrin e saj që të largohet nga kjo dukuri e fëlliqur dhe t’i kthehet bashkëshortes së tij dhe lumturisë familjare.   

E nëse burri edhe pas këshillave dhe metodave tjera për ndalimin e tij nga kjo vepër e shëmtuar, ai nuk largohet prej kësaj, atëherë gruaja mund të kërkojë shkurorëzim dhe të lutë Allahun që t’i jep jetë të lumtur me një njeri i cili është i ndershëm dhe i pastër në moralin e tij. Thotë Allahu (azzevexhel): “Por nëse ndahen prej njëri tjetrit, Allahu begaton me mirësinë e Tij secilin prej tyre.” (Nisa’ – 130)  

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami

You may also like...