A lejohet dërgimi dhe mbajtja e unazës së fejesës?
Pyetje: Selamualejkum hoxhe i nderuar, a lejohet dergimi i unazes se fejeses dhe a lejohet te mbahet ajo ne kohen qe je e fejuar? Allahu ju shperblefte per mundin qe e bani.
Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Nëse dërgimi i unazës dhe mbajtja e saj bëhet me bindje se ajo forcon lidhjen ndërmjet mashkullit dhe femrës dhe se hjekja e saj dobëson lidhjen ndërmjet tyre, atëherë kjo është e ndaluar dhe është shirk në Allahun (azzevexhel).
E nëse mbajtja e saj bëhet pa ndonjë bindje të caktuar, por bëhet vetëm pas martese dhe jo para saj dhe me këtë kuptohet se ai/ajo që mban unazë është i/e fejuar apo i/e martuar, atëherë kjo gjë së paku është e papëlqyer, ngase kjo traditë rrjedh prej jomuslimanëve. (Fetava Ibn Uthejmin 18/112)
Ndërsa nëse mbajtja e unazës bëhet pa ndonjë bindje të caktuar dhe mbahet para dhe pas martese, duke mos bërë dallim ndërmjet këtyre gjendjeve, atëherë ajo është e lejuar dhe nuk ka ndonjë pengesë në këtë. (Vetëmse unaza e arit është e ndaluar për mashkullin dhe e lejuar për femrën)
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami