A është më mirë udhëtari të agjërojë apo jo?
Pyetje: Selam alejkum hoxhe i nderuar, kam nje pyetje: Qe ne fillim te muajit te shenjte te Ramazanit inshallah do te udhetojme do bejme hixhra per hire te Allahut ne Egjipt dhe e dime se nga urtesia e Allahut na eshte e lejuar qe te mos agjerojme ate dite, por nese deshirojme te agjerojme a eshte kjo me e mire per ne? Allahu ju ruajt nga cdo e keqe.
Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Udhëtari në lidhje me agjërimin, qëndron në tri gjendje:
-Nëse udhëtimi e lodhë dhe e mundon atë, atëherë më mirë është të mos agjërojë në udhëtim. Thotë Pejgamberi (salallahu alejhiveselem): “Nuk është prej mirësisë, agjërimi në udhëtim”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
-Nëse udhëtimi nuk e mundon atë fare, atëherë më mirë është të agjërojë. Thotë Allahu (azzevexhel): “E të agjëroni, është më e mirë për ju”. (Bekareh – 184)
-Nëse udhëtimi e mundon atë aq shumë, saqë mund t’i shkaktojë ndonjë dëm apo sëmundje, atëherë agjërimi për të është i ndaluar dhe prishja e tij është obligim. Thotë Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) për disa njerëz që agjëruan duke qenë në këtë gjendje: “Ata janë mëkatarë, ata janë mëkatarë”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami