Si t’i largoj vesveset dhe mendimet e këqia?
Pyetje: Selam alejkum kam nje pytje per nje shoqe se une nuk po di se me keshillu. Fjala esht se ajo po me tregon se po ka probleme me mendime (qe po ka problem me shirk e si e dim na se nese bjen ne shirk shirku nuk te falet kurr amo ajo bash ato mundime i ka se nuk ka qetesi as ne namaz edhe ne kohet e fundit ajo nuk po ka vullnet per asgje eshte ftohe edhe per namaz) edhe pa e praktiku islamin ka pas keto probleme keto mundime i ka edhe gjate ramazanit a ka ni far keshille per kete moter? Selam alejkum, pres pergjigjen e juve.
Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
Mendimet e këqia janë vesvese të cilat vijnë prej shejtanit. Ndërsa frika nga shirku ka mundësi që të jetë prej shejtanit dhe ka mundësi të jetë prej imanit. Ngase frika mund të jetë e lavdëruar dhe mund të jetë e nënçmuar, varësisht prej frytit dhe rezultatit që e jep ajo. Nëse frika bëhet shkak që njeriu të jetë më i kujdesshëm në imanin e tij dhe të jetë më preciz në atë që e forcon imanin e tij, e më i ruajtur nga ato që e prishin imanin e tij, pa dyshim se kjo frikë është e lavdëruar. Ndërsa nëse frika bëhet shkak për largimin nga Allahu dhe nga adhurimi ndaj Tij, si dhe shkak i nënshtrimit ndaj lojrave të shejtanit dhe vesveseve e mendimeve që vijnë prej tij, atëherë pa dyshim se kjo frikë është e nënçmuar.
Është e vërtetë se Allahu (azzevexhel) nuk e falë shirkun dhe kufrin, nëse njeriu vdes pa u penduar prej tij, por kjo nuk don të thotë që të zhgënjehemi dhe të dorëzohemi vetëm nëse vjen edhe ndonjë mendim në mendjet dhe zemrat tona, duke menduar se ato mund të jenë shirk apo kufër. Ngase mendime të ndryshme u kanë ardhur edhe disa prej sahabëve, të cilët thanë: O i Dërguar i Allahut, ndonjëri prej nesh e ndjen në veten e tij, një gjë (mendim apo ndjenjë në lidhje me Allahun) e që është e vështirë (e pamundur) për të ta shprehë atë. Tha (salallahu alejhiveselem): “A e keni gjetur atë (a ju kanë ardhur mendime të tilla)? Thanë: Po. Tha (salallahu alejhiveselem): Ky është imani i vërtetë”. (Transmeton Muslimi)
Kështuqë nëse vjen në mendje ndonjë mendim që është e pamundur për ty ta shprehësh, e që ka të bëjë me Allahun dhe ti nuk e shprehë atë, për këtë jo që nuk ka mëkat, por kjo është dëshmi për imanin tënd të vërtetë.
Gjithashtu thotë Pejgamberi (salallahu alejhiveselem): “I vjen shejtani ndonjërit prej jush dhe i thotë: Kush e ka krijuar këtë? Kush e ka krijuar atë? Derisa i thotë: Kush e ka krijuar Zotin tënd? Nëse i vjen kjo, le të kërkon mbrojtje prej Allahut (le të thotë Eudhu bilahi minesh-shejtanir-raxhim) dhe le të mbaron me kaq”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Thotë Shejhul Islam Ibn Tejmijeh: Dhe muslimani sprovohet me vesvese të shejtanit dhe vesvese të kufrit nga të cilat ngushtohet gjoksi i tij, sikur rasti i sahabëve… (hadithi i lartpërmendur).
Andaj, nëse motra e nderuar ka arritur në këtë shkallë të vesveseve dhe mendimeve të këqia, ajo assesi nuk bën të largohet nga namazi dhe ibadeti, por përkundrazi duhet t’i kthehet Allahut, duke qëndruar vazhdimisht me abdes, duke përmendur Allahun dhe duke e lutur Atë për largimin e këtyre mendimeve. E nëse është nevoja, ka mundësi dhe të bëjë rukje sipas sheriatit (ta frynë dikush prej atyre që fryjnë me Kur’an).
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami