A duhet t’i vizitoj të afërmit, nëse në atë vizitë ka harame?
Pyetje: Bismilahi Rrahmani Rrahim. Selam alejkum hogj i nderuar, pyetja ime osht kjo: Duke e dit hakun se sban te rrin gra e burra bashk e sidomos nkit koh si qilen, me interesoj ta di farefisi jem krejt jan te paudhzum dhe un ka vite qe skam shku shkaku se rrin bashk gra e burra, dora mos me u jep fitne, masanej grun e kam me nikab dhe ajo qysh me hanger ose me pi, por ndoshta gruja ban edhe mos me shku ke farefisi jem se ka gjyna nese nuk shkon ama une kam frik mos me ju shku kam frik mos me majt lidhjet farefisnore sepse e di kercnimin per ato, qfar mendimi keni ju qa me keshilloni? Allahu ju shperbleft me te mira.
Përgjigje: Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
Vëlla i dashur, mbajtja e lidhjeve farefisnore është një prej obligimeve islame dhe këputja e tyre është mëkat ndaj Allahut. Thotë Allahu (azzevexhel): “E ata që thyejnë besën e dhënë Allahut pasi u patën zotuar, e këpusin atë për të cilën Allahu ka urdhëruar të jetë e pakëputur (këpusin lidhjet farefisnore), bëjnë shkatërrime në tokë, ata janë të mallkuar dhe ata kanë përfundim të keq”. (Ra’d 25)
Dhe Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) thotë: “Nuk ka për të hyrë në xhenet, ai që këputë lidhjet familjare”. (Transmeton Muslimi)
Andaj, muslimanët nuk guxojnë t’i ndërprejnë lidhjet e tyre familjare, por në bazë të mundësive duhet të mundohen që t’i ruajnë ato. Thotë Shejh Ibn Bazi: Është obligim mbajtja e lidhjeve familjare në bazë të mundësive, duke i vizituar ata, apo duke ju shkruar, apo duke i kontaktuar në telefon. (Kështuqë të gjitha këto hyjnë në mbajtjen e lidhjeve familjare.)
Por, nëse gjatë vizitës së farefisit njeriu imponohet të vepron mëkate të caktuara, atëherë ai duhet të mundohet të gjejë ndonjë zgjidhje tjetër dhe mëkatet e tyre mos të jenë shkak për ndërprerjen e lidhjeve me ta.
Gjithashtu duhet patur shumë kujdes dhe të mos tolerohet rënia në mëkate për shkak të hidhërimit të tyre, ngase hidhërimi i Allahut është më i madh dhe më i rëndë.
Dhe duhet bërë atyre me dije, se përshëndetja për dore dhe qëndrimi i burrave me gra në një vend është i ndaluar në Islam, në mënyrë që t’ua tregosh të vërtetën dhe të jeshë i arsyetuar para Allahut.
Gjithashtu duhet të mundohesh të gjeshë kohë të caktuar, ku e ke më të lehtë t’u ikësh atyre mëkateve, sikur që është përgjigjur Komisioni i përhershëm në pyetjen: Kur e vizitoj hallën apo tezen, ulen vajzat e tyre me neve, dhe imponohem t’i përshëndes për dore… a lejohet mos të vizitoj hallën dhe tezen time? Përgjigjja: … Dhe mos u ndalo duke ua tërhjekur vërejtjen në atë që kundërshtohet me sheriatin e pastër, si dhe mundohu të gjeshë ndonjë kohë të përshtatshme ku mund t’i vizitosh hallat dhe tezet dhe kur je i siguruar nga përzierja me ato që nuk të takon.
Andaj përfundimisht themi se:
-Lidhjet farefisnore nuk lejohet të këputen,
-Nëse gjatë vizitës së të afërmve shkaktohen mëkate, nuk lejohet të tolerohen mëkatet për shkak të hidhërimit të tyre,
-Duhet që t’ua tregosh atë që është e ndaluar,
-Duhet të mundohesh të gjeshë kohë të përshtatshme për vizitën e tyre.
Ndërsa sa i përket bashkëshortes, ajo nuk e ka obligim vizitën e familjarëve të burrit. Por, nëse ka mundësi që t’i vizitojë ato (gra të familjes së burrit bashkë me burrin e saj) duke mos rënë në mëkate, për këtë ka shpërblim tek Allahu (azzevexhel). E nëse jo, atëherë për këtë nuk ka përgjegjësi para Allahut.
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami