A lejohet abortimi i fëmiut në muajin e dytë të shtatzënisë?
Pyetje: Esselamu alejkum Hoxhë i nderuar. Kam nje pytje serioze. A eshte mekat abortimi i femiut nese abortohet brenda dy muajve te shtatzënisë? A ka falje per kete gabim?
Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Dijetarët kanë ndryshuar mendimet e tyre, për abortimin e fëmiut para ditës së katërdhjetë, dhe:
-Disa prej tyre e kanë lejuar atë në formë të përgjithshme, nëse fëmiu në barkun e nënës ende nuk ka plotësuar katërdhjetë ditë. (Fet’hul Kadir 3/401)
-Disa të tjerë e kanë ndaluar atë në formë të përgjithshme, qoftë para katërdhjetë ditëve të fëmiut, apo pas katërdhjetëve. (Sherhul Kebir 2/266)
-E disa prej dijetarëve kanë bërë dallim, nëse është me apo pa arsye. Dhe nëse ka arsye për abortimin e fëmiut i cili nuk ka plotësuar katërdhjetë ditë, atëherë lejohet abortimi i tij. (Fetava Lexhneh Daimeh 21/450)
Ndërsa nëse fëmiu kalon ditën e katërdhjetë në barkun e nënës, atëherë është i ndaluar abortimi i tij, përveç nëse vërtetohet prej mjekëve të besueshëm se vazhdimësia e shtatzënisë e rrezikon jetën e nënës së fëmiut, atëherë lejohet abortimi i tij. (Fetava Lexhneh Daimeh 21/450)
Kështuqë abortimi i fëmiut i cili ka arritur në dy muaj është i ndaluar dhe ka mëkat për abortimin e tij. Dhe nëna e cila ka vepruar këtë mëkat duhet të pendohet sinqerisht tek Allahu, me shpresë se Allahu do të falë gabimin e saj.
Ndërsa nëse fëmiu plotëson katër muaj në barkun e nënës, atëherë abortimi i tij është mëkat edhe më i madh dhe nuk mjafton vetëm pendimi për këtë mëkat, por duhet të shpaguhet ky gabim edhe me lirim të një robi. E nëse nuk gjen, atëherë duhet agjëruar dy muaj pa ndërpre. (Fetavel Xhamiah Lilmer’etil Muslimeh 3/1052)
Dhe fëmiu i abortuar i cili ka qëndruar katër muaj në barkun e nënës, mund të lahet dhe t’i falet atij namazi i xhenazes, pasiqë atij i është dhënë shpirti. Ndërsa ai që është abortuar para katër muajve, nuk lahet dhe nuk falet, por mbëshjellet me ndonjë copë dhe varroset. (El-Mugnij 2/328)
Kështuqë, pa dyshim abortimi i fëmiut është një prej mëkateve ndaj Allahut (azzevexhel) dhe njeriu duhet të largohet prej këtyre veprimeve të shëmtuara të cilat nuk i takojnë një muslimani i cili beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit. Por, nëse pas mashtrimeve të shejtanit dhe epshit njeriu bjen në këtë mëkat, atëherë ai duhet të pendohet sinqerisht tek Allahu (azzevexhel).
Dhe në lidhje pyetjen se: A ka falje për këtë gabim, lexoni: A e falë Allahu shirkun nëse njeriu pendohet prej tij? A e falë Allahu njeriun që ka qenë homoseksual? Dhe: Kushtet për pranimin e pendimit.
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami