A është e vërtetë se Ibn Tejmijeh e ka lejuar mevludin?
Pyetje: I nderuar zoteri, me thoni diqka per sektin vehabit. Dhe pse ju e sulmoni aq shume mevludin kur dijetari i juaj Ibn Tejmija e ka lejuar mevludin? Dhe argumentet e juaja qe i dhat per mevludin aspak nuk jane te verteta. Ju faleminderit.
Përgjigje: Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Së pari: Ai person që e kundërshton mevludin, shpresojmë që sipas dashuruesve dhe pasuesve të mevludit, nuk del nga feja islame. Kështuqë do të ishte mirë dhe prej sunetit që përshëndetja juaj të jetë përshëndetja islame: Esselamu alejkum.
Së dyti: Sekti vehabi nuk ekziston në librat e grupeve dhe sekteve të devijuara, por me këtë emër janë emërtuar një pjesë e muslimanëve, në formë ofendimi apo etiketimi.
Së treti: Shejhul Islam Ibn Tejmijeh, nuk është dijetar vetëm i joni, por është dijetar i gjithë muslimanëve dhe jorastësisht është quajtur Shejhul Islam. Dhe vlerën e tij nuk e mohon askush pos atyre të cilët nuk e njohin atë.
Së katërti: Ne nuk i shenjtërojmë dijetarët dhe nuk i adhurojmë ata. Kështuqë, edhe nëse Ibn Tejmijeh e ka lejuar mevludin (edhepse nuk është e vërtetë), ne nuk e marrim mendimin e tij të gabuar. Por, marrim prej tij sikur prej çdo dijetari tjetër, atë që ai e ka qëlluar dhe rrefuzojmë prej tij sikur prej çdo dijetari tjetër, atë që ai e ka gabuar.
Së pesti: Nuk është e vërtetë se Ibn Temijeh e ka lejuar mevludin. Përkundrazi, ai ka kundërshtuar bidatet në fe, në përgjithësi. Por fjalët e tij i kanë shtrembëruar apo i kanë keqkuptuar disa prej njerëzve të cilët kanë supozuar se Ibn Tejmijeh e ka lejuar mevludin. Ndërsa në fjalët e tij nuk thuhet askund se mevludi është i lejuar, porse thuhet se ka mundësi për atë që bën mevlud të ketë shpërblim tek Allahu, nëse ai është injorant rreth kësaj çështje dhe e bën atë për shkak dashurisë së Pejgamberit (salallahu alejhi veselem). Ai shpërblehet për dashurinë dhe qëllimin e mirë të tij, e jo për bidatin dhe praktikimin e tij.
Thotë Ibn Tejmijeh: Allahu ka mundësi që t’i shpërblejë ata për shkak dashurisë dhe përpjekjes së tyre, e jo për shkak të bidateve të marrjes së ditëlindjes së Pejgamberit (salallahu alejhiveselem) për festë, me gjithë ndryshimin e mendimeve të njerëzve rreth ditëlindjes së tij. Këtë nuk e kanë praktikuar selefi edhepse kanë pasur mundësi që ta praktikojnë dhe nuk kanë pasur ndonjë pengesë ndaj saj dhe sikur të kishte pasur ndonjë të mirë në këtë, do ishin selefi para neve në praktikimin e saj, ngase ata e kanë dashur dhe e kanë rrespektuar më shumë Pejgamberin (salallahu alejhiveselem) se ne dhe kanë qenë më lakmues ndaj të mirës se ne, por dashuria dhe rrespketimi i tij është në pasimin e tij, në zbatimin e urdhërit të tij, në ringjalljen e sunetit të tij të dukshëm dhe të padukshëm dhe në përhapjen e asaj me të cilën Ai është dërguar. (Iktidau Siratil Mustekim 194/295)
Kështuqë në bazë të fjalëve të tij, kuptohet se ai nuk e ka lejuar atë, e as ndonjë bidat tjetër.
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami