Cili është aureti i gruas para grave tjera?

Pyetje: Selamun alejkum hoxhë i nderuar. A mundeni të na tregoni se cili është aureti i grave në mes veti? Cilat pjesë të trupit i lejohet gruas ti tregoj në mesin e grave tjera muslimane? Selamun alejkum, Allahu ju ruajt.  

Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.  

Sa i përket auretit të gruas para grave tjera, dijetarët kanë ndryshuar mendimet e tyre. Shumica e dijetarëve janë të mendimit se aureti i saj para grave tjera, është sikur aureti i mashkullit para meshkujve tjerë (dmth. prej kërthizës deri te gjunjtë). Ky është mendimi i medhhebit Malikij, Shafi’ij dhe Hanbelij. Si dhe mendimi më i saktë i medhhebit Hanefij.  

Ndërsa disa prej dijetarëve janë të mendimit se gruaja ka të drejtë të zbulojë prej trupit të saj, vetëm atë që ka të drejtë ta zbulojë para familjarëve të saj (babait, vëllaut, etj.), apo vetëm pjesët e zbukurimit, si: flokët, fytyrën, qafën, duart, krahët dhe këmbët. Ky është dhe mendimi i imam Ebu Hanifes sipas një transmetimi.  

Duke u bazuar në ajetin në të cilin Allahu (azzevexhel) thotë: “Dhe mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt, përveç burrave të tyre, baballarëve të tyre, baballarëve të burrave të tyre, djemve të tyre, djemve të burrave të tyre, vëllezërve të tyre, djemve të vëllezërve të tyre, djemve të motrave të tyre, grave të tyre (që u përmendën)..”. (Nur – 31)   Kështuqë mendimin të cilin mendojmë se është më i saktë, është mendimi i dytë i cili thotë se gruaja nuk ka të drejtë të zbulojë prej trupit të saj para grave tjera, përveç pjesëve të zbukurimit, si: flokët, fytyrën, qafën, duart, krahët dhe këmbët. (Përveç në ndonjë rast imponimi apo nevoje). Ndërsa gjoksin, shpinën, barkun dhe pjesët intime të saj, e ka të ndaluar t’i zbulojë para grave tjera. Thotë Pejgamberi (salallahu alejhiveselem): “Mos të shikojë mashkulli në auretin e mashkullit, e as femra në auretin e femrës”. (Transmeton Muslimi)  

Edhepse mendimi i shumicës së dijetarëve, nuk nënkupton lejimin e zbulimit dhe qëndrimit të grave në mesin e tyre në atë gjendje (duke qenë të mbuluara vetëm prej kërthizës deri te gjunjtë), por nënkupton që nëse për çdo rast zbulohet ndonjë pjesë e tyre dhe gratë tjera e shikojnë atë, nuk kanë mëkat për këtë shikim. (Fetava Ibn Uthejmin 12/268)  

Andaj, nuk i takon një motrës muslimane të vishet me veshje të shkurtëra apo të ngushta të cilat zbulojnë pjesët e ndaluara të trupit të saj, qoftë edhe para grave tjera. Por duhet të jetë e mbuluar ashtu siç i ka hije asaj dhe të qëndrojë ashtu siç kanë qëndruar gratë e të parëve tanë në mesin e tyre.  

Allahu e di më së miri.

Hoxhë Omer Bajrami  

You may also like...