A vërtetë ikin melaiket nëse nëna viziton fëmiun e saj të vdekur?

Pyetje: Me ka vdekur femija im para meje, kam qene tu i kendu dove elhamin, kulhuvallahin, felekin dhe nasin. A kam ba mire? Ne momentin qe ia kam lexu dovet ka dhane shpirt, femija i ka pase 1vjet e gjyse. Dhe a eshte mekat me shku te vorri tij une nana se po me thojn femija i ka dy melaqe te kryte e kur shkon nana melaqet largohen e se kqyrin ma? Pres pergjigjen se ka qe 4 jave qe me ka vdeke. Ka qene i semur nga veshket qysh nga lindja, po kur ska qa dhe gjithnje jam falimenderu Allahut qe ma ka dergu ate sprove. A eshte mire apo gabim?  

Përgjigje: Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.  

Së pari: Secili musliman duhet ta ketë parasyshë se kjo jetë është jetë e sprovave dhe rehatia e vërtetë është në botën tjetër. Thotë Allahu (azzevexhel): “Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria, e nga jeta, e edhe nga frytet, po ti jepju myzhde durimtarëve. Te cilët, kur i godet ndonjë e pakëndshme thonë: Ne jemi të Allahut dhe vetëm tek Ai kthehemi”. (Bekareh 155/156)  

Së dyti: Leximi i Kur’anit pranë atij që është duke vdekur është i pëlqyer sipas shumë dijetarëve, e sidomos leximi i sures Jasin, duke u bazuar në një hadith i cili thotë: “Lexoni të vdekurve tuaj (atyre që janë duke vdekur) suren Jasin”. (Transmeton Ebu Davudi dhe Ahmedi, ndërsa Imam Neveviu dhe Shejh Albani hadithin e cilësojnë si të dobët)  

Kështuqë disa dijetarë të tjerë, duke e llogaritur transmetimin e lartpërmendur të dobët, nuk e pëlqejnë leximin e sures Jasin pranë atij që është duke vdekur.  

Edhepse leximi i Kur’anit pranë tij nuk ka ndonjë të keqe, nëse nuk veçohet leximi i sures Jasin. Thotë Shejh Ibn Bazi: Leximi i Kur’anit pranë të sëmurit është gjë e mirë dhe ndoshta Allahu i bën dobi me të. Ndërsa për veçimin e sures Jasin, hadithi është i dobët. (Fetava Ibn Baz 13/93)  

Së treti: Thënia se vizita e nënës ia largon fëmiut melaiket, është një thënie e kotë dhe  e pavlerë për të cilën nuk ka ndonjë argument të Sheriatit.  

Së katërti: Në lidhje me vizitën e varrezave për gratë, dijetarët kanë ndryshuar mendimet e tyre. Disa prej tyre e kanë ndaluar atë, e disa e kanë lejuar nëse nuk teprohet dhe nuk veprohet ndonjë gjë e ndaluar në to.  

Kështuqë, mendojmë se më i saktë është mendimi i cili lejon vizitën e varrezave për gratë, duke u bazuar në hadithin e përgjithshëm në të cilin Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) thotë: “Ju pata ndaluar nga vizita e varrezave, por tash vizitoni ato, sepse ato ua kujtojnë Ahiretin”. (Transmeton Muslimi)  

Kështuqë në këtë hadith nuk bëhet dallim ndërmjet burrave dhe grave dhe të gjithë kanë nevojë për përkujtim të Ahiretit. Si dhe argumente tjera të cilat vërtetojnë se lejohet vizita e varrezave për gratë, e që përgjigjja e shkurtër nuk lejon që të përmenden të gjithë.  

Andaj, edhe duhet patur parasyshë se vizita e varrezave bëhet për të kujtuar vdekjen dhe Ahiretin dhe për t’u larguar nga pasimi i epsheve dhe lakmive të kësaj dunjaje. Ndërsa lutja për të vdekurin mund të bëhet edhe në shtëpi dhe në vende tjera.  

Së pesti: Çdokush që përjeton sprovën e humbjes së fëmiut të tij, nëse bën durim ndaj kësaj sprove, Allahu për të ka përgatitur si shpërblim një shtëpi në Xhenet. Thotë Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) për ata të cilët u ka vdekur ndonjë fëmijë dhe kanë duruar: “U thotë Allahu melaikeve: Ndërtojani një shtëpi në Xhenet dhe emërtojeni atë “Shtëpia e falenderimit”.” (Transmeton Tirmidhiu dhe Shejh Albani hadithin e cilëson si të mirë)  

Gjithashtu thotë Pejgamberi (salallahu alejhi veselem): “Vazhdon të sprovohet besimtari dhe besimtarja në veten e tij, në fëmiun e tij dhe në pasurinë e tij, derisa ta takojë Allahun ndërsa nuk i ka mbetur atij asnjë mëkat”. (Transmeton Tirmidhiu dhe Shejh Albani hadithin e cilëson si të vërtetë)  

Së gjashti: Fëmijët e muslimanëve të cilët vdesin të vegjël, janë prej banorëve të Xhenetit.   

Thotë Imam Ahmedi: A dyshon dikush se fëmijët e muslimanëve janë në Xhenet?!  

Thotë Imam Neveviu: Janë pajtuar të gjithë dijetarët muslimanë, se kush vdes prej fëmijëve të muslimanëve është në Xhenet, sepse ata nuk janë të ngarkuar (me obligime dhe ndalesa). (Sherh Muslim 16/207)  

Lusim Allahun (azzevexhel) që t’u jep fëmijë të hajrit, respektues ndaj prindërve dhe nënshtrues ndaj urdhërave të Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Ndërsa dhembjen e sprovës për fëmiun e vdekur, t’ua kompenzojë me të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër. Amin  

Allahu e di më së miri.

Hoxhë Omer Bajrami

You may also like...