Pse Allahu nuk i mbrojti librat e mëparshëm nga ndryshimi?
Pyetje: Selamu alejkum Hoxhe i nderuar. Allahu ju shperblefte per punen qe e beni. E kam nje pyetje. Si duhet me ju pergjigje nese nje deshmitar e jehoves thote se pse nuk i mbrojti Zoti librat e tjere si Tevratin, Zeburin dhe Inxhilin qe mos ti ndryshojne njerezit fjalet e Allahut? Allahu ju ruajt dhe ua shtofte diturine sa me shume. Selamu alejkum
Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Ne i besojmë të gjithë librat e zbritur dhe besimi në librat e zbritur është prej kushteve të Imanit. Gjithashtu besojmë se të gjithë librat e mëparshëm janë ndryshuar nga duart e njerëzve, përveç Kur’anit i cili është i sigurtë dhe i mbrojtur prej ndryshimit.
Librat e mëparshëm ndryshuan nga duart e njerëzve, ngase Allahu (azze vexhel) nuk e mori përsipër ruajtjen e tyre, por atë e la në duart e njerëzve. Thotë Allahu (azzevexhel): “Ne e zbritëm Teuratin në të cilin është udhëzimi i drejtë dhe drita. Sipas tij gjykuan ndaj atyre që ishin jehudi, pejgamberët që ishin të bindur, gjykuan dhe dijetarët e devotshëm dhe paria fetare, ngase ishin të obliguar ta ruanin librin e Allahut.“ (El-Maideh 44)
Kështuqë, ruajtjen e librave të mëparshëm e kanë pasur obligim popujt tek të cilët ato kanë zbritur dhe kjo ka qenë një sprovë se sa do të jenë ata të sinqertë dhe besnikë ndaj librit të Allahut. Dhe këta libra, kanë qenë për një kohë të caktuar dhe jo të përgjithmonshëm. E pas çdo ndryshimi, Allahu ka dërguar pejgamberë dhe ka zbritur libër tjetër, i cili e ka vërtetuar librin e mëparshëm dhe i ka udhëzuar njerëzit në rrugë të drejtë.
Ndërsa ruajtjen e Kur’anit Allahu nuk e la në duart e njerëzve, por e mori atë mbi vete dhe tha: “Ne me madhërinë Tonë e zbritëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij“. (El-Hixhr 9)
Kështuqë, Allahu e siguroi këtë libër dhe garantoi se Kur’ani nuk do të pësojë asnjë ndryshim, sikur pësuan ndryshime librat e mëparshëm.
Ngase Kur’ani është libri i fundit, që i zbriti Pejgamberit të fundit dhe nëse Kur’ani do të kishte ndryshuar pas një kohe dhe më nuk do zbritej libër tjetër, atëherë shumica e njerëzve do të kishin devijuar dhe do të kishin pasuar ndryshimet e tij, dhe kjo do të ishte një arsye e njerëzve për devijimin e tyre. Andaj, Allahu e garantoi Kur’anin dhe e bëri atë udhëzim dhe dritë për të gjithë ata që e duan dhe e kërkojnë udhëzimin.
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami