Si të sjellem me familjen time të cilët nuk dijnë asgjë për Islam?

Pyetje: Selam alejkum hoxhe i nderuar, kerkoj nje keshill nga ana juaj: Si te veproj ne familjen time kur asnje prej tyre nuk falin namaz bile as shehadetin nuk e dijn mir me than as nuk agjerojn ramazanin asnjerin kusht te Islamit nuk e zbatojn, un jam e vemtja qe fali namaz rregullisht qe 1 vit elhamdulilah, agjeroj bej edhe pun nafile qfardo qoft, prindit nuk me lejojn te ve mbules bile edhe Kur‘anin sbesojn se eshte prej Allahut kurr besmelen nuk e thojn ne buk asgje asgje, mu me vjen shum keq per gjendjen e tyre kam frike se Zoti kurr nuk do ti udhezoj edhe pse lutem per ta, ata nuk dojn me degju, e tash une a kam pergjegjesi per ta ne Diten e Gjykimit… si te veproj me ta me keshilloni ju lutem dhe e lus Allahun te ju ndihmoj ne punen qe beni dhe te ju shperblej me xhennetin Firdeus. Selam alejkum ue rahmetullah.
Përgjigje:Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
Motër e nderuar, Allahu (azzevexhel) në gjithë Librin e Tij tregon se njerëzit të cilët e pasojnë të vërtetën janë pak dhe ata të cilët e kundërshtojnë atë janë më shumë. Thotë Allahu (azzevexhel): “Dhe pak prej robërve të Mi janë falenderues“. (Sebe‘ – 13) Dhe thotë: “Dhe nuk do t’i gjeshë shumicën e tyre falenderues“. (A’raf – 17) Dhe thotë: “Kjo është e vërteta prej Zotit tënd, por shumica e njerëzve nuk e besojnë“. (Hud – 17) Dhe thotë: “Po shumica e njerëzve, edhepse lakmon ti (të besojnë), ata nuk janë besimtarë“. (Jusuf – 103)
Kështuqë qoftë në familje, në shoqëri, në rrethin ku jeton, apo edhe më gjërë, njerëzit që e duan dhe e pasojnë të vërtetën janë më pak.
Gjithashtu, Allahu (azzevexhel) jo rastësisht na ka treguar edhe për familje të pejgamberëve të cilët e kanë mohuar pejgamberllëkun e tyre. Sikur që e ka mohuar bashkëshortja e Nuhut (alejhiselam) burrin e saj, apo bashkëshortja e Lutit (alejhiselam) burrin e saj, apo babai i Ibrahimit (alejhiselam) birin e tij, e kështu me radhë. Thotë Allahu (azzevexhel): ”Atyre që mohuan Allahu u sjell shembull gruan e Nuhut dhe gruan e Lutit. Ato të dyja ishin në kurorë të dy robërve të mirë nga robërit tanë, por ato të dyja i tradhëtuan (në fe) ata të dy, dhe këta dy nuk mund t’i mbrojnë ato fare tek Allahu, e atyre dyjave ju thuhet: Hyni të dyja në zjarr së bashku me ata që hyjnë”. (Tahrim – 10)
Gjithashtu Allahu (azzevexhel) thotë: “Është e vërtetë si ti (Muhamed) nuk mund ta udhëzosh atë që do ti, por Allahu e udhëzon kë të dojë dhe Ai është që di më së miri për të udhëzuarit”. (Kasas – 56)
Kështuqë nuk mbetet gjë tjetër për secilin prej nesh, përveçse të mundohet me metodën më të mirë dhe më të butë për t’i afruar të gjithë nën ombrellën e Islamit, për t’i futur ata në drejtësinë e tij dhe për t’i larguar nga padrejtësitë e kësaj bote, për t’i kthyer ata në robër të Allahut dhe për t’i larguar prej robërimit të dynjasë dhe të njerëzve, duke mos i anashkaluar lutjet e vazhdueshme dhe të sinqerta për ta, me shpresë në Allahun që t’i udhëzojë, si dhe duke bërë durim në thirrjen ndaj tyre dhe në sprovat që mund të vijnë prej tyre, me shpresë në shpërblimin e Allahut.
Ndërsa sa i përket mosvënies së mbulesës për shkak se familja nuk ju lejon, lexoni përgjigjen e pyetjes: Dua të mbulohem, por nuk më lejojnë prindërit..
Dhe në fund, lusim Allahun (azzevexhel) që të udhëzojë familjen tuaj në rrugë të drejtë dhe juve të ju bën të qëndrueshme në adhurimet ndaj Tij. Amin
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami