Si ta këshilloj shokun tim i cili shikon në haram?

Pyetje: Selam alejkum kam nje pytje per nje shok se une nuk po di si me e keshillu. Pytja eshte se ai shikon haram dhe perdor haram. A kini mundesi me tregu si me e keshillu dhe qfar denimi e pret ate qe e perdor kete haram? Prej pergjigjen e juve.  

Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.  

Thotë Allahu (azzevexhel): “Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më pastër për ta”. (Nur – 30)   Dhe thotë: “Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre..” (Nur -31)  

Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “O Alij, mos e paso shikimin me shikim, se i yti është i pari (shikimi pa qëllim), e nuk është i dyti (shikimi me qëllim)”. (Transmeton Tirmidhiu dhe Ebu Davudi, ndërsa Shejh Albani hadithin e cilëson si të mirë)  

Gjithashtu Pejgamberi (salallahualejhiveselem) thotë: “Edhe sytë bëjnë imoralitet, e imoraliteti i tyre është shikimi”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)  

Dhe shumë argumente tjera të cilat flasin për ndalimin e shikimit në haram dhe të cilat urdhërojnë në ruajtjen e tij. E muslimani duhet të ketë parasyshë se Allahu e shikon atë në çdo moment dhe e di çdo gjë që vepron ai. Thotë Allahu (azzevexhel): “Ai di për sytë tradhëtarë (shikimin me cep të syve) dhe për atë që e fshehin në zemra”. (Gafir – 19) E syri i cili nuk ka frikë Allahun pa dyshim se është sy tradhëtar, i cili para tjerëve paraqet një fytyrë tjetër, e kur është i vetmuar nuk turpërohet prej Allahut dhe shikon atë që është e ndaluar.   

Ndërsa Allahu është Ai i cili e ka pajisur njeriun me këtë dhunti dhe Ai është i cili mund t’ia merr atij atë. Sa prej njerëzve në botë nuk kanë mundësi të shikojnë asgjë, përveç territ të vazhdueshëm i cili qëndron para tyre? Ndërsa shumë prej njerëzve që Allahu ua ka dhënë këtë mirësi, nuk e ruajnë dhe nuk e falenderojnë Allahun për të.   

Gjithashtu Allahu është Ai i cili ia mbulon njeriut mëkatet të cilat ai i bën fshehurazi. Por, ka mundësi që pas teprimit të tyre, Allahu t’ia zbulojë atij ato mëkate dhe ta turpërojë atë para gjithë njerëzve.    Gjithashtu ka mundësi që Allahu t’ia merr shpirtin atij që shikon në harame, në ato momente që është duke e vepruar ai këtë haram. E sa fund i hidhur që është ky!   

Si do të ndjehesh ti nëse meleku i vdekjes të vjen në ato momente? Si do të jetë gjendja yte, nëse fyti të ngjitet dhe gjoksi të shtrëngohet, ndërsa sytë e tu janë duke shikuar në atë që është e ndaluar? Si do të ndjehet familja yte, e cila do të hyn të merr trupin tënd të vdekur, nëse ti mbetesh i shtangur para mëkatit që ke qenë duke e shikuar? Dhe në fund, me çfarë fytyre do të dalësh para Allahut (azzevexhel)?  

Andaj, njeriu për t’u larguar prej kësaj sëmundje, duhet të ketë parasyshë se:
-Allahu e shikon atë në çdo gjendje që ai është,
-Melaiket janë me të dhe regjistrojnë çdo gjë që vepron ai,
-Shikimi është dhunti prej Allahut, dhe nëse nuk e falenderon Allahun për këtë mirësi, ka mundësi që kjo dhunti të humbet,
-Martesa e ndihmon të largohet prej shumë ndalesave, -Agjërimi është mbrojtje për të, nëse nuk ka mundësi martese,
-Përfundimi i keq është humbja më e madhe për të, andaj nuk dihet si vjen fundi i tij.  

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami  

You may also like...