Si bëhet shpagimi për betimin e thyer?

Pyetje: Si duhet te veprojme nese kemi thyer betimin e dhene ndaj Allahut xh.sh. gjate muajit te Ramazanit. Kompenzimi me agjerim te 3 diteve a duhet te behet menihere me nijet per shlyerjen e betimit e pastaj ti kompensojme 3 dite agjerim te Ramazanit apo duhet te vazhdohet me agjerimin e Ramazanit e pastaj pas perfundimit te Ramazanit ti agjerojme ato 3 dite me nijet per shlyerjen e mekatit per betimin e bere? Allahu ju shperblefte.
Përgjigje: Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
Vëlla i dashur, së pari duhet të keshë parasyshë se:
-Nëse betimi bëhet në dikënd tjetër pos Allahut, është shirk (i vogël) dhe mjafton që betuesi të pendohet për këtë, e nuk ka nevojë për shpagim.
-Nëse betimi bëhet në Allahun, por për një gjë që nuk është e vërtetë (betim i rrejshëm), kjo është një prej mëkateve të mëdha, por gjithashtu për këtë mjafton betuesi të pendohet dhe nuk ka për këtë shpagim.
-Nëse betimi bëhet për të ardhmen (se do ta veproj apo nuk do ta veproj një gjë të caktuar), e pastaj thyhet ky betim, atëherë duhet për këtë betuesi të lirojë një rob, ose të ushqejë apo të veshmbathë dhjetë të varfër. E nëse nuk ka mundësi, atëherë duhet të agjërojë tri ditë. Thotë Allahu (azzevexhel): “Allahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet e juaj të paqëllimta, por ju merr për ato që jeni betuar qëllimisht. E shpagimi i tij (betimit të bërë) është duke ushqyer dhjetë të varfër me ushqim mesatar që ushqeni familjen tuaj, ose duke i veshur ata (dhjetë), ose duke liruar një rob. E kush nuk ka mundësi t’i bëjë këto, le t’i agjërojë tri ditë. Ky është shpagim për betimet e juaja kur i theni ato. Ruani betimet tuaja. Kështu Allahu ju sqaron dispozitat e veta, ashtu që të jeni mirënjohës”. (Maideh / 89)
Kështuqë ju për betimin e thyer nuk duhet të ndërpritni agjërimin e obliguar (të muajit Ramazan), por duhet që të ushqeni dhjetë të varfër me një ushqim mesatar që ushqeheni për vete. E nëse nuk keni mundësi, pasi të përfundoni me agjërimin që e keni obligim, agjëroni tri ditë tjera për shpagim të betimit të thyer. Dhe agjërimi i tri ditëve bëhet vetëm atëherë kur nuk keni mundësi të ushqeni të varfërit, përndryshe shpagimi i betimit të thyer nuk pranohet. Ndërsa ushqyerja e dhjetë të varfërve mund të bëhet duke përgatitur një ushqim mesatar për ta, apo duke blerë ushqimin dhe duke ua dërguar atyre pa e përgatitur fare. (Ashtu siç kanë përmendur dijetarët, si psh: Oriz, apo pasul, apo diç të ngjashme me të, për një të varfër).
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami