A lejohet martesa me një vajzë,me të cilën ke kaluar më herët?
Pyetje: Es-selamu alejkum! A lejohet martesa (me ba niqah) me nje vajz, me te cilen ke kaluar nje kohe te gjate perpara (pa niqah) dhe ke bere gjynahe me te (pos zinas!)? Si duhet vepruar dhe cfar kushtesh duhet plotsuar dhe a duhet me kerku hallallek ndaj njeri tjetrit? Ju lutem me keshilloni.
Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
Së pari, duhet të keni parasyshë se çdo lidhje ndërmjet mashkullit dhe femrës së huaj, pa kurorë martese është i ndaluar, qoftë ai prostitucion, apo gjë (ndalesë) më e vogël se prostitucioni.
-Ndërsa ai i cili ka pasur lidhje jomartesore me një femër të huaj, nëse ka arritur deri në shkallën e prostitucionit, atëherë martesa me të është e ndaluar, derisa të pendohen të dy nga ai mëkat. Ngase Allahu (azzevexhel) thotë: “Laviri nuk martohet përveçse me laviren apo idhujtaren, dhe lavirja nuk martohet përveçse me lavirin apo idhujtarin, e kjo është e ndaluar për besimtarët”. (Nur – 3) Kështuqë përderisa ai ose ajo nuk pendohen nga ai mëkat, atyre ende ju mbetet emri lavir ose lavire, andaj edhe martesa me të (lavirin apo laviren) nuk lejohet, deri të pendohen.
Thotë Shejhul Islam Ibn Tejmijeh: Martesa me laviren është e ndaluar deri të pendohet, pa marrë parasyshë nëse ai ka bërë prostitucion me të, apo dikush tjetër. Kjo është e vërteta pa dyshim dhe ky është mendimi i shumë prej dijetarëve të hershëm dhe të vonshëm, prej tyre Ahmed ibn Hanbeli dhe të tjerë.
-Ndërsa nëse ai që ka pasur lidhje të ndaluar jomartesore, nuk ka arritur deri në shkallën e prostitucionit, atëherë ai nuk emërtohet me emrin lavir dhe lejohet martesa me atë vajzë, edhepse për këto mëkate gjithashtu duhet të pendohen dhe të kërkojnë falje prej Allahut, ndërsa nuk ka nevojë të kërkojnë falje nga njëri tjetri.
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami