A mund të fali namaz nate, pasi e kam falur vitrin?
Pyetje: Masi ta fali vitrin, si zakonisht bije te flej. Por naten qohem dhe kam deshir te fali namaz nate. Si duhet te veproj?
Përgjigje:
Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Namazi i vitrit mund të falet prej pas namazit të jacisë, e deri në kohën e namazit të sabahut. Dhe është e pëlqyer që namazi i vitrit të jetë namazi i fundit i namazeve vullnetare të natës, duke u bazuar në hadithin në të cilin Pejgamberi (salallahualejhiveselem) thotë: “Le të jetë namazi i fundit i juaji natën vitri”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Kështuqë, nëse e di se mund të zgjohesh dhe të falësh namaz nate, atëherë është mirë që ta lësh vitrin më vonë. Por, nëse ke frikë se nuk mund të zgjohesh dhe e falë atë, e pastaj të del gjumi dhe dëshiron të falësh nafile, për këtë dijetarët janë ndarë në dy mendime:
1-Shumica e dijetarëve janë të mendimit se lejohet të falet namaz nate pas namazit të vitrit, vetëmse duke mos e falur vitrin edhe njëherë. Dhe ky është mendimi i shumicës së dijetarëve të medhhebit Hanefij, Malikij, Hanbelij dhe mendimi i njohur i medhhebit Shafi’ij. Duke u bazuar në hadithin të cilin e transmeton Aisheja (radijallahuanha) se Pejgamberi (salallahualejhiveselem) pas namazit të vitrit fali edhe dy rekatë. (Transmeton Muslimi)
Thotë Imam Neveviu: Ky hadith nënkupton se Pejgamberi (salallahu alejhi veselem) i ka falur edhe dy rekatë pas vitrit, për të na treguar se lejohet të falet nafile pas tij. (Mexhmu’ 3/512) Gjithashtu dijetarët e këtij mendimi ndalojnë faljen e namazit të vitrit edhe njëherë, duke u bazuar në hadithin në të cilin Pejgamberi (salallahu alejhi veselem) thotë: “Nuk ka dy vitra brenda një nate”. (Transmeton Tirmidhiu, Ebu Davudi dhe Nesaiu me zinxhirë të mirë)
2-Disa prej dijetarëve janë të mendimit se nuk lejohet të falet nafile pas vitrit përveç nëse njeriu e prishë atë. Dhe prishja e vitrit bëhet duke e falur edhe një rekatë të vetëm, kështuqë rekati tek i vitrit së bashku me këtë rekat tek pas vitrit, bëhen dy rekate me të cilat prishet vitri. E pastaj falë nafile dhe në fund e falë vitrin edhe njëherë. Ky është mendimi i transmetimit tjetër të medhhebit Shafi’ij dhe disa dijetarëve tjerë.
E mendimi më i saktë mendojmë se është mendimi i parë i dijetarëve, të cilët thonë se lejohet njeriu të falë nafile pas namazit të vitrit, duke mos e falur vitrin edhe njëherë.
Thotë Shejh Ebu Malik Sejid Salim: Prishja e vitrit (sipas mendimit të dytë të dijetarëve) është mendim i dobët për dy shkaqe:
-Sepse vitri i parë është falur në mënyrë të saktë dhe nuk ka mundësi të prishjes së tij, pasi ka kaluar koha e tij,
-Se namazi nafile me një rekatë (për të prishur vitrin) nuk është i njohur në sheriatin e Allahut (nuk ka argumente për të). (Sahih FikhuSuneh 1/387)
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami