A është injorant, ai që thotë se ka sunet para farzit të xhumasë?
Selam Alejkum. Hoxh i nderuar kam ndegjuar qe nje njeri i cili deklaron qe ka Sunet para Farzit te Xhumas esht njeriu ma injorant tek Zoti…?
Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
Falja e katër rekateve sunet para farzit të xhumasë, është çështje për të cilën ka mospajtime në mesin e dijetarëve. Dhe të thuhet se ai i cili thotë se ka sunet para farzit të xhumasë, është njeriu më injorant tek Allahu, është thënie e gabuar dhe e pasaktë.
Ndërsa nëse shtrohet pyetja se cili mendim është më i saktë, atëherë mendojmë se mendimi i dijetarëve të cilën e mohojnë një gjë të tillë është më i saktë, pasiqë nuk ka asnjë argument se sahabët pas ezanit janë ngritur dhe kanë falur katër rekatë sunet para farzit të xhumasë. Ndërsa ajo që është vërtetuar, është se ata kanë falur nafile para se të thirrë ezani dhe një gjë e tillë është e lejuar, por nuk mund të quhet sunet i rregullt para farzit të xhumasë.
Gjithashtu është me rëndësi të përmend se ajo të cilën e keni dëgjuar ju, ndoshta mund të jetë thënia e Ibn Kajimit i cili thotë: “E kush mendon se ata (sahabet) pasiqë ka përfunduar Bilali (radijallahuanhu) me ezanin, janë ngritur të gjithë dhe i kanë falur nga dy rekatë, ai është njeriu më injorantë ndaj sunetit”.
Dhe kjo thënie e tij ka shumë dallim nga ajo që ju keni pyetur. Ngase Ibn Kajimi nuk thotë se kush thotë se ka sunet para farzit të xhumasë është njeriu më injorant tek Allahu, por kush mendon se sahabët janë ngritur pas ezanit dhe kanë falur sunet të xhumasë para farzit, ky është njeriu më injorantë ndaj sunetit të Pejgamberit (salallahu alejhiveselem), e që ndërmjet dy thënieve, qëndron dallim i madh.
Ndërsa ata të cilët kanë thënë se ka sunet para farzit të xhumasë, asnjë prej tyre nuk ka thënë se sahabet janë ngritur pas ezanit dhe e kanë falur atë, në mënyrë që të keqkuptohet se Ibn Kajimi i ka quajtur ata dijetarë injorantë. Por, ata mendimin e tyre e kanë mbeshtetur duke thënë se xhumaja është drekë e shkurtër (në vend të katër raketëve farz, falen dy), apo kanë bërë krahasim me drekën, e që sunetet nuk mund të vendosen në Islam në këtë mënyrë. Apo janë mbështetur në disa transmetime të dobëta, pasiqë transmetime të vërteta për këtë nuk ekzistojnë. Thotë Ibn Haxheri: “Sa i përket sunetit para farzit të xhumasë, nuk është vërtetuar për këtë asgjë”. (Fet’hul Bari 2/426)
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami